Sektori Mjekësor: Kontrolle Paga nga 1 Prilli për 10,000 Biznese

Nga 1 prilli, paga indikative dhe kontrolle për 10 mijë biznese në sektorin mjekësor

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve dhe Doganave, njoftoi se krahas sektorëve të ndërtimit, turizmit dhe hidrokarbureve, administrata tatimore do të fokusohet edhe në formalizimin e sektorëve mjekësorë dhe estetikë.

“Vjet kemi ndërmarrë kontrolle për sektorët e ndërtimit, turizmit dhe hidrokarbureve dhe këto nisma kanë dhënë rezultate konkrete. Kemi rritje të ndjeshme të tatimit mbi të ardhurat personale të paguar dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore,” u shpreh ministri Malaj. Ai shtoi se sektori mjekësor dhe ai i kujdesit personal dhe estetik janë identifikuar me risk të lartë dhe do të jenë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim.

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se për sektorin e shërbimeve mjekësore, në fokus do të jetë kontrolli i rreth 10 mijë bizneseve me 45 mijë të punësuar. Ai sqaroi se më 1 prill do të publikohen pagat indikative për këtë sektor.

“Do të kryejmë kontrolle për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime mjekësore, për rreth 10 mijë tatimpagues dhe 45 mijë të punësuar. Më 1 prill do të publikohen pagat indikative. Më pas do të vijojnë kontrollet edhe për shitjen e produkteve bujqësore,” tha ai.

Scroll to Top