Ulje akcizë karburanti mbi 220 lekë/litër

Ministri Malaj: Ulja e akcizës do të zbatohet kur çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë për litër

Ulja e akcizës me 20% për karburantet do të aplikohet nëse çmimi i naftës arrin mbi 220 lekë për litër. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka sqaruar se ulja e akcizës prej 20% për naftën do të aplikohet automatikisht në rast se Bordi i Transparencës vendos që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë mbi 220 lekë.

Ministri Malaj shpjegoi se kjo masë do të sjellë një ulje të çmimit me 8 lekë për litër. Për shembull, nëse çmimi vendoset në 221 lekë për litër, pas uljes së akcizës, çmimi përfundimtar do të jetë 213 lekë për litër.

“Mekanizmi do të jetë i tillë: në momentin kur Bordi i Transparencës do të përcaktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do të jetë 221 lekë, automatikisht në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do të jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizës 20%, që përkon përafërsisht me 8 lekë, duke rezultuar në 213 lekë. Kjo do të bëhet në baza ditore. Kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do të kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do të jetë nën 220 lekë, do të zbatohet çmimi i përcaktuar nga Bordi”, deklaroi Malaj.

Lidhur me vendimin e qeverisë për uljen me 20% të akcizës, Shoqata e Hidrokarbureve më herët pati deklaruar se kjo do të sjellë një ulje të çmimit me 8 deri në 10 lekë për litër. Drejtues të Shoqatës së Hidrokarbureve vlerësuan se efekti i rishikimit të akcizës në uljen e çmimeve është minimal, veçanërisht në kohën kur çmimet e tregtimit të karburanteve në bursë po rriten ndjeshëm.

Scroll to Top