“`html
Nga referencat e rretheve, Paqja fiskale dhe fshirja e detyrimeve, Malaj sqaron kur nis zbatimi
Çmimet e reja të referencës në rrethe pritet të miratohen brenda muajit prill. Qytetarët dhe bizneset që kërkojnë të kryejnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerat e tregut do të duhet të përdorin liçensues privat.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë për shtyp shpjegoi arsyet pse çmimet e referencës së rishikuara të rretheve nuk janë ende në fuqi. Sipas tij, miratimi u shty pasi grupi i punës ka vënë re diferenca mes çmimeve të deklaruara në kadastër dhe atyre të konstatuara nga kontrollet në agjencitë imobiliare në rrethe.
Për qytetarët e interesuar për rivlerësimin sipas çmimeve reale të tregut, ministri Malaj theksoi se procesi duhet të kryhet nëpërmjet një liçensuesi privat.
“Çmimet e reja të referencës për rrethet janë ende në proces finalizimi dhe pritet të përfundohen brenda muajit prill 2026. Ato u shtynë pasi u vërejtën diferenca mes çmimeve të kadastrës dhe atyre që rezultuan nga kontrollet e kryera në agjencitë imobiliare. Qytetarët mund të kryejnë rivlerësimin bazuar në çmimin real të tregut, përmes vlerësuesve privatë të liçensuar”, u shpreh Malaj.
Çmimet e referencës për rrethet janë rishikuar që vjet, por ende nuk janë miratuar. Ministria e Financave publikoi më parë projektvendimin me çmimet e rishikuara për konsultim publik. Çmimet e referencës për 60 rrethe janë të miratuara që në vitin 2016 dhe aktualisht ekziston vetëm një çmim, pa ndarje zonash dhe pa reflektuar vlerat aktuale të shitblerjes së pronave.
Ndryshe nga Bashkia e Tiranës, e cila është e ndarë në 32 zona kadastrale dhe nuk përdor çmimet e referencës të vitit 2016 (vlerat u rishikuan në fund të korrikut 2023), për rrethet fillimisht ishte propozuar një hartë e re çmimesh me rritje deri në 200%. Kjo rritje më e lartë parashikohej në zonën pranë portit të Durrësit, por ende nuk ka gjetur miratim nga Këshilli i Ministrave.
Projektvendimi u rishikua sërish, duke përfshirë për herë të parë çmimet edhe për fshatrat si zona më vete. Aktualisht, për fshatrat përdorej çmimi i qytetit, por i reduktuar me 35%. Aktualisht, çmimi i referencës për qytetin e Durrësit është 67,500 lekë për metër katror.
Në projektvendimin e ri të publikuar në korrik 2025, Durrësi propozohet të ndahet në 13 zona kadastrale për çmimet e referencës, me vlera që variojnë nga 45,000 lekë deri në 200,000 lekë për metër katror (200,000 lekë është për zonën e Portit ku po ndërtohet projekti “Durrës Yachts Marina”). Për fshatrat e Himarës, si Dhërmi dhe Palasë, janë propozuar referenca me vlerë 140,000 lekë/m². Në fshatin Vuno çmimi i referencës do të jetë 100,000 lekë dhe në Livadh 81,000 lekë/m².
Paqja fiskale dhe ligji i fshirjes së detyrimeve, Malaj: Aktet nënligjore po konsultohen me partnerët ndërkombëtarë
Ndonëse kanë kaluar rreth dy muaj nga hyrja në fuqi, ende nuk ka nisur zbatimi i dy ligjeve të paketës fiskale: “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi se për të dyja ligjet aktet nënligjore përkatëse kanë përfunduar së hartuar dhe janë dërguar për konsultim te partnerët ndërkombëtarë.
“Në lidhje me paqen fiskale dhe faljen e detyrimeve, të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar nga Ministria e Financave. Duke qenë se kanë qenë dy ligje shumë të diskutueshme, aktet nënligjore i kemi përcjellë te partnerët tanë ndërkombëtarë. Në momentin që do të marrim përgjigje nga partnerët tanë ndërkombëtarë, do të vijojmë menjëherë me publikimin e tyre dhe, pa diskutim, me implementimin e plotë të ligjit si për paqen fiskale, edhe për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore”, tha Malaj.
Të dyja ligjet u botuan në Fletoren Zyrtare më 15 janar dhe hynë në fuqi më 30 janar, por ende nuk po zbatohen për shkak të mungesës së miratimit të akteve nënligjore.
Afatet për publikimin e akteve nënligjore janë si më poshtë:
- Udhëzimi i ligjit “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” parashikohet të publikohet brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
- Ligji “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale” përcakton se ministri përgjegjës për financat ngarkohet të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi, aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, pika 3, dhe 11, pika 4.
- Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ngarkohet të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi, udhëzimin në zbatim të pikës 1, të nenit 11.
Para miratimit të ligjit për marrëveshjen e paqes fiskale, ka pasur kundërshtime nga FMN, BE dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, të cilët e konsideronin legjislacionin si nxitës të pastrimit të parave.
Çfarë parashikojnë ligjet e Marrëveshjes së Paqes Fiskale dhe fshirjes së detyrimeve
Ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” përcakton fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2014. Detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk do të përfshihen në falje, por ligji parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014.
Përfitues do të jenë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji parashikon edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin e pagimit të një pjese të detyrimit.
Për detyrimet nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, dhe pjesa tjetër fshihet. Nëse paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026.
E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duke përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, me kushtin që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.
Ligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, për të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% kontributi brenda datës 31.12.2026.
nga bizneset në tatime dhe dogana deri në vitin 2014 rezultojnë se janë 100 mln lekë apo rreth 1 mld euro detyrime të papaguara. Shifra me detyrimin e papaguar nga bizneset deri në 2014 që parashikohet të fshihet plotësisht u bë publike nga ministri i Financave Petrit Malaj në mbledhjen e mëparshme të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore.
Ligji “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale” mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh (me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit) dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit. Në këtë marrëveshje mund të hyjë vullnetarisht çdo biznes i rregullt. Përjashtohen bizneset për të cilat është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.
Gjatë kësaj marrëveshjeje me afat 1-vjeçar (me të drejtë rinovimi deri 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Baza e tatueshme do të përbëhet nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi real në fund të vitit tejkalon këtë kufi, mbi shtesën do të paguhet 5%. Pra, norma e tatimfitimit mbetet 23%, por rritet baza e tatueshme.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%. Ky tatim 5% do të aplikohet për ndryshime si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të pa treguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë. Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.
“`
