Ardon Jashari te Milani: Intervistë për ambiciet dhe Milanin

Ardon Jashari, lojtari i Milanit, ka dhënë një intervistë të detajuar për gazetën “Il Foglio”, ku ka ndarë mendimet e tij rreth muajve të parë te klubi kuqezi, trajnerit Massimiliano Allegri dhe ambicjeve të tij.

Për personalitetin e tij: “Shumë njerëz që nuk më njohin mendojnë se jam arrogant, por e vërteta është e kundërta. Jam një profesionist i përulur, shumë i fokusuar për të dhënë maksimumin në fushë për ekipin. Megjithatë, jam edhe një 23-vjeçar që pëlqen të buzëqeshë dhe të kalojë kohë me të tjerët. Në dhomën e zhveshjes ka një atmosferë shumë të mirë me shokët e skuadrës. Stërvitjet janë intensive, por nuk mungojnë momentet e lehta, sidomos gjatë drekës me Luka Modriç dhe Strahinja Pavloviç. Ata ulen pranë meje, duhet t’i njihni…”

Për negociatat me Milanin: “Më kujtohet shumë mirë ajo periudhë. Kisha përfunduar sezonin me Club Brugge, kishim fituar Kupën e Belgjikës dhe isha ndër lojtarët më të fortë të skuadrës. Klubi nuk donte absolutisht të më shiste. Flisja çdo ditë me agjentin tim, duke ditur interesimin e fortë të Milanit. Isha me pushime në Ibiza me të dashurën, kur më ra telefoni. Numri ishte italian… ishte Igli Tare.”

Për ndjesitë e atij momenti: “E kuptova menjëherë që Milani do të bënte gjithçka për të më bindur dhe kjo më emocionoi shumë. Në të njëjtën kohë, kisha respekt të madh për Brugge. Doja të gjeja zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Por si mund t’i thuash jo një klubi si Milani?”

Çfarë e përshpejtoi transferimin: “Puna e gjithë drejtuesve. Rreth dhjetë ditë pas telefonatës së drejtorit, mora edhe një telefonatë nga Zlatan Ibrahimović. Më foli për projektin. U emocionova shumë, zëri më dridhej, por brenda vetes isha gati për këtë sfidë të re.”

Për Allegri: “Për mua është një mjeshtër, përpiqem të mësoj sa më shumë prej tij. Ka eksperiencë të madhe. Flet shpesh me mua, më kërkon të përfshihem më shumë në lojë, të luaj me intensitet dhe të gjuaj drejt portës kur kemi mundësi. Më shtyn të përmirësohem edhe në stërvitje, sepse vitet e fundit roli im në fushë ka ndryshuar shumë.”

Për rrugëtimin e tij, të ngjashëm me Pirlo: “Është e vërtetë, nga mesfushor ofensiv në organizator të tërhequr. Andrea Pirlo ishte idhulli im kur isha fëmijë. Mbaj mend lojën e tij, ishte perfekte. Ai dhe Fernando Redondo më kanë frymëzuar shumë. Luanin me qetësi dhe qartësi të jashtëzakonshme, dinin të kontrollonin ritmin e ndeshjes në çdo moment.”

Për rutinën para ndeshjeve: “Jo shumë. Jam mysliman, shpesh gjatë rrugës për në stadium dëgjoj Kuranin, më ndihmon të përqendrohem shpirtërisht. Kur mbërrijmë në ‘San Siro’, mbështetja e tifozëve bën pjesën tjetër. Sa herë vesh fanellën e Milanit, adrenalina rritet.”

Për numrin 30: “Jo rastësisht. Kur isha fëmijë nuk kisha një rol fiks. Shikoja Lionel Messin dhe kjo më mjaftonte. Ai mbante numrin 30 dhe mendoja që një ditë, nëse bëhesha futbollist, doja të njëjtin numër. Kur nisa karrierën në Zvicër, më thanë të zgjidhja një numër mbi 20 dhe zgjodha menjëherë 30. Madje e kërkova para se të firmosja kontratën.”

Për objektivat me Milanin: “Jam këtu për të fituar, për veten time, për skuadrën dhe për tifozët. Dua të jap maksimumin çdo ditë me entuziazëm dhe profesionalizëm. Shpresoj ta vesh këtë fanellë për shumë vite. Por tani duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Objektivi ynë është të rikthehemi në ‘Champions League’ mes skuadrave më të mëdha të Europës. E dimë që duhet shumë punë, por kjo nuk na tremb.”

Scroll to Top