VIDEO/ Tunel nëntokësor në Spanjë, sekuestrohen 17 tonë drogë dhe 1,4 milionë euro cash
Policia spanjolle ka zbuluar një tunel nëntokësor të pajisur me shina dhe vagonë, i cili përdorej për të transportuar sasi të mëdha hashashi midis Marokut dhe Spanjës.
Ministria e Brendshme spanjolle deklaroi se operacioni policor, i cili zgjati më shumë se një vit, nxori në dritë një rrjet kompleks të ngjashëm me minierën, i cili furnizonte rrëshirë kanabisi në të gjithë Spanjën dhe madje edhe në Evropë.
Mediat raportojnë se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 27 persona dhe është sekuestruar një sasi prej mbi 17 tonë drogë.
E gjithë struktura ishte e pajisur me shina, vagona, rrotulla dhe vinça të vegjël për transportin e paletave të hashashit. Vala e arrestimeve kulmoi me kapjen e njërit prej dy krerëve të organizatës.
Gjatë bastisjeve u sekuestruan 1,4 milionë euro para në dorë, së bashku me 17 makina luksoze.
Spanja është një pikë hyrëse e rëndësishme për trafikun e drogës në Evropë, për shkak të afërsisë së saj me Marokun, një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në botë.
