Sylvinho e mbyll me humbje: Shqipëria dorëzohet edhe ndaj Ukrainës
Shqipëria, e drejtuar nga trajneri brazilian Sylvinho, nuk ka arritur të gjejë reagimin e shumëpritur, duke u mposhtur minimalisht 1-0 nga Ukraina. Kjo ishte një ndeshje miqësore mes dy skuadrave të eliminuara nga play-off-et e Kupës së Botës.
Takimi, i zhvilluar në Valencia, u vendos në fillimin e pjesës së dytë, kur Oleksii Hutsuliak realizoi golin e vetëm në minutën e 46-të. Lojtari shfrytëzoi një harkim nga e majta dhe, duke mposhtur portierin Thomas Strakosha, shënoi me goditje me kokë.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse Ukraina ishte disi më kërkuese, ndërsa kuqezinjtë tentuan me disa aksione sporadike. Rasti më i mirë erdhi nga Armando Broja, i cili nuk arriti të konkretizonte përballë portierit kundërshtar.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria u përpoq të reagonte, por pa ide të qarta në sulm. Mundësia më e mirë për barazim erdhi në minutën e 79-të me Myrto Uzuni, i cili u ndal nga portieri ukrainas në një rast ideal.
Nga ana tjetër, Ukraina ishte më e rrezikshme në kundërsulm dhe iu afrua disa herë golit të dytë, madje duke goditur edhe shtyllën në minutën e 70-të.
Në fund, sfida u mbyll me fitoren 1-0 të ukrainasve. Shqipëria mbetet pa një përgjigje pas disfatës në gjysmëfinalet e play-off-it, duke shtuar pikëpyetjet mbi formën e skuadrës.
