PAMJET/ Zbuluar tuneli që fuste tonelata kanabis nga Maroku në Spanjë
Spanja, për shkak të lidhjeve të ngushta me Amerikën Latine dhe afërsisë me Marokun, një prodhues kryesor i kanabisit, shërben si një pikë kyçe hyrëse për drogën drejt Evropës.
Policia spanjolle njoftoi të martën zbulimin e një tuneli nëntokësor, të përshkruar si teknologjikisht i sofistikuar dhe “të ngjashëm me një labirint”, i cili përdorej për të kontrabanduar sasi të mëdha kanabisi nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës, dhe më pas në të gjithë Evropën.
Hetimi nxori në pah se tuneli ishte i fshehur nën një depo industriale, e cila ishte e pajisur me sisteme pompimi dhe izolim akustik për të shmangur zbulimin, sipas një deklarate të policisë spanjolle.
“Një operacion në shkallë të gjerë i Policisë Kombëtare kundër asaj që hetuesit e quajtën ‘rrjeti i rrjeteve të hashashit’ çoi në zbulimin e një infrastrukture komplekse nëntokësore, të projektuar për të futur tonelata me lëndë narkotike në vendin tonë,” thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Pjesa fundore e tunelit, me tre nivele, që të çonte drejt Marokut, i ngjante “një labirinti tipik të një miniere”, e pajisur me karroca që lëviznin në një sistem hekurudhor me ndërtim kompleks dhe karakteristikë të veprave të inxhinierisë të projektuara në mënyrë të përsosur.
Pakot e kanabisit përgatiteshin dhe ruheshin në katin e mesëm, nga ku pastaj ngriheshin “falë një sistemi vinçash dhe rrotullash të projektuara për të lëvizur ngarkesa të rënda,” sipas policisë.
Policia e nisi hetimin në shkurt 2025, duke sekuestruar më shumë se 17 ton hashash dhe 1.4 milionë euro në para të gatshme në operacione të ndryshme në Ceuta dhe Spanjën kontinentale gjatë disa muajve. Në kuadër të operacionit, policia arrestoi 27 persona, përfshirë dy persona që dyshohet se ishin udhëheqësit e rrjetit.
Enklavat spanjolle të Ceutës dhe Melillës, të cilat ndodhen në brigjet mesdhetare dhe kufizohen me Marokun, përbëjnë të vetmit kufij tokësorë të Bashkimit Evropian me Afrikën.
