Shtyhet seanca për Veliajn dhe 29 të pandehur të tjerë; munguan kryebashkiaku dhe Ajola Xoxa
Seanca për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit e tjerë është shtyrë për datën 3 prill. Dy prokurorët e çështjes ishin të pranishëm në sallë, ndërsa disa nga të pandehurit munguan.
Erion Veliaj nuk mori pjesë personalisht në seancë, por kishte dërguar një deklaratë ku shprehej se dëshiron të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm.
Gjithashtu mungonte edhe Ajola Xoxa, ndërsa mbrojtësit e saj ishin të pranishëm.
Nga ana tjetër, shumica e të pandehurve të tjerë nuk ishin të pranishëm, me përjashtim të Elman Abules, i cili ishte i vetmi i pranishëm personalisht.
Gjatë seancës, avokati Sokol Hazizaj kërkoi që klienti i tij, Fatmir Bektashi, së bashku me shoqërinë e tij, të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesit e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado.
“Unë bëra një kërkesë fare të thjeshtë, si për ekonomi gjyqësore, ashtu edhe duke u referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim Bektashi,” tha avokati Sokol Hazizaj.
Prokurori Ols Dado vuri në dukje se procesi nuk ka mundur të hyjë në fazën e gjykimit gjatë 8 muajve të fundit.
“Kemi 8 muaj që nuk arrijmë dot të futemi në proces ligjor. Kjo është qartazi një strategji për të zvarritur procesin. E veçuar si kërkesë, kjo e Hazizajt nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore, vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar,” tha prokurori Ols Dado.
Avokati Plarent Ndreca theksoi se prezenca e tij nuk ka për qëllim shtyrjen e seancës, por respektimin e procesit të rregullt ligjor.
“Vetë prezenca ime këtu është jo për të shtyrë seancën, por për atë që Kushtetuta parashikon, një proces të rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore, por jo në dëm të të pandehurve. I bashkohem kërkesës për të shtyrë seancën nga avokati Artan Simoni, i cili mungon sot, sepse mendoj që duhet të merret parasysh që të jenë të gjithë në seancë. Nuk i bashkohem kërkesës së Sokol Hazizaj, sepse i përket një tjetër momenti procedural,” u shpreh në seancë avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca.
