Dosja “Bankers”
Gjykata e Posaçme ka vendosur të zëvendësojë masat e sigurisë së arrestimit në shtëpi për katër nga të pandehurit në dosjen “Bankers”.
Konkretisht, për Leonidha Çobon, Hong Ping Xiao, Ardit Keron dhe Lianyi Wang u vendos masa e sigurisë me ndalim të daljes jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur pranë organeve kompetente.
Kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurisë u bë nga dy prokurorë të posaçëm, Enkelejda Millonai dhe Anita Jella, për shkak se ka kaluar afati 9-mujor i paraburgimit, ndërkohë që avokatët kërkuan shuarjen totale të masës.
Në këtë dosje janë disa të pandehur të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë, pa masa sigurie.
Mbi katër personat në fjalë rëndojnë akuzat për:
- “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”
- “Fshehje e të ardhurave”
- “Pastrim i produkteve të veprës penale”
- “Shpërdorim detyre”
- “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”
Operacioni në “Bankers Petroleum” erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit, ka shmangur taksat në vend gjatë gjithë ekzistencës së saj.
“Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar për 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërkohë që gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë, për 20 vite ka shmangur detyrimet tatimore dhe madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.
