Gazetarja Amerikane Shelly Kittleson Rrëmbehet në Bagdad

Rrëmbehet një gazetare amerikane në Bagdad, dyshohet se grupi i mbështetur nga Irani është përgjegjës.

Gazetarja amerikane Shelly Kittleson është rrëmbyer të martën në Bagdad të Irakut. Lajmi u konfirmua nga burime pranë saj dhe mediat me të cilat ajo bashkëpunon.

Sipas CNN, qeveria amerikane po gjurmon rrëmbimin dhe po punon me autoritetet irakiane për të siguruar lirimin e saj. Megjithëse nuk është e qartë ende se kush qëndron pas rrëmbimit, burime të afërta kanë bërë të ditur se gazetarja e pavarur kishte marrë kërcënime më parë, duke përfshirë dhe ato për rrëmbim, nga grupi iranian “Kataib Hezbollah”.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Dylan Johnson, deklaroi në një postim në platformën X se “një person me lidhje me grupin “Kataib Hezbollah” dhe që besohet të jetë përfshirë në rrëmbim, është vënë në paraburgim nga autoritetet irakiane”.

“Kataib Hezbollah” është një grup milicie i mbështetur nga Irani, i cili ka shënjestruar vazhdimisht amerikanët.

Kittleson është një gazetare e specializuar në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, me reportazhe të botuara në media ndërkombëtare, amerikane dhe italiane. Sipas një burimi, qeveria amerikane e kishte paralajmëruar Kittleson kohët e fundit për një plan të “Kataib Hezbollah” për ta rrëmbyer ose vrarë, paralajmërim ky i bërë teksa ajo po raportonte nga Iraku.

Një burim tjetër ka pohuar se zyrtarët amerikanë dhe irakianë kishin nisur hetimet për rastin e Kittleson dhe e kishin paralajmëruar atë të largohej nga Iraku disa herë gjatë javëve të fundit.

“Departamenti i Shtetit e kishte përmbushur më parë detyrën për ta paralajmëruar këtë person për kërcënimet kundër saj dhe ne do të vazhdojmë të koordinohemi me FBI-në për të siguruar lirimin sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha Johnson të martën, pa dhënë detaje specifike mbi kërcënimet.

“Al-Monitor”, një organizatë lajmesh me seli në SHBA, konfirmoi rrëmbimin e Kittleson dhe bëri thirrje për “lirimin e saj të sigurt dhe të menjëhershëm”.

“Al-Monitor” u shpreh “thellësisht i alarmuar” nga rrëmbimi i Kittleson, e cila punon si kontribuese për këtë media.

Ministria e Brendshme e Irakut ka deklaruar se një gazetare e huaj u rrëmbye në qendër të Bagdadit nga individë të panjohur të martën në mbrëmje. Forcat irakiane të sigurisë kanë arrestuar një nga personat e dyshuar dhe kanë sekuestruar një nga automjetet e përdorura gjatë rrëmbimit. Forcat e sigurisë kanë nisur një operacion për të gjetur personat përgjegjës dhe për të siguruar lirimin e saj.

Ambasada e SHBA-së në Irak i ka paralajmëruar vazhdimisht qytetarët amerikanë të largohen nga vendi që nga fillimi i konfliktit me Iranin në fund të shkurtit, duke paralajmëruar se milicitë e mbështetura nga Irani mund të përpiqen të rrëmbejnë amerikanë.

“Mos udhëtoni në Irak për asnjë arsye. Largohuni menjëherë nëse jeni atje”, – thuhej në deklaratën e fundit të ambasadës gjatë fundjavës.

Scroll to Top