Tragjedi pranë Lampeduzës: 19 emigrantë humbin jetën
Roja Bregdetare Italiane ka njoftuar se 19 emigrantë janë gjetur të vdekur dhe 58 të tjerë janë shpëtuar nga një gomone në rrezik, rreth 80 milje detare larg ishullit italian Lampeduza, gjatë mbrëmjes të së martës.
Operacioni i shpëtimit u zhvillua në zonën e kërkim-shpëtimit të Libisë, pavarësisht kushteve tepër të vështira të motit.
Sipas zëdhënësit të rojës bregdetare, Roberto D’Arrigo, forcat italiane ishin të vetmet që mund të ndërhynin në zonë. “Ne ishim të vetmit që mund të ndërhynim, pasi nuk kishte anije apo ekipe të tjera shpëtimi. Kushtet në det ishin ekstreme, me dallgë që arrinin mbi 6-7 metra”, deklaroi ai.
Dyshohet se emigrantët ishin nisur nga Libia, ndërsa viktimat besohet se kanë humbur jetën si pasojë e hipotermisë, megjithëse shkaqet e sakta të vdekjes pritet të konfirmohen nga autoritetet.
Të mbijetuarit u transportuan drejt Lampeduzës pas një udhëtimi që zgjati rreth 10 orë dhe aktualisht ndodhen nën kujdesin e shërbimeve shëndetësore lokale.
Ishulli i Lampeduzës konsiderohet si një nga pikat kryesore hyrëse në Evropë për emigrantët që kalojnë përmes Mesdheut nga Afrika e Veriut. Çdo vit, mijëra persona humbasin jetën në këtë rrugë të rrezikshme, shpesh në mjete të vogla lundruese që nisen nga brigjet e Libisë dhe Tunizisë.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje tragjeditë e shpeshta në këtë zonë. Në gusht të vitit të kaluar, një tjetër anije me rreth 100 emigrantë u përmbys në ujërat ndërkombëtare pranë Lampeduzës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 26 personave.
