Begaj refuzon kërkesën PD: KSK organ këshillimor

Begaj i thotë “Jo” kërkesës së PD për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Një ditë pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë se Shqipëria rrezikohet nga sulmet e Iranit, ka reaguar Presidenca. Presidenca ka sqaruar rolin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, pas kërkesës së opozitës për mbledhjen e tij urgjente.

Presidenca thekson se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës dhe nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

Sipas njoftimit, Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet pjesë e këtij këshilli dhe informohet vazhdimisht për situatat dhe skenarët e mundshëm, si dhe për masat e ndërmarra në kuadër të protokolleve të sigurisë.

Po ashtu Presidenca shprehet se të gjitha institucionet përgjegjëse janë vigjilente dhe po ndjekin nga afër zhvillimet, ndërsa mekanizmat e sigurisë janë aktivë dhe funksionalë.

“Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjitha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë. Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta. Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në sqarim.

Scroll to Top