“Mos m’i përmend fëmijët këtu…” sherr mes deputetëve në Kuvend
Tensionet dhe përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës kanë vijuar në disa episode gjatë seancës së të enjtes në Kuvend. Një prej tyre ndodhi mes Bora Muzhaqit dhe Albana Vokshit.
Albana Vokshi kërkoi përjashtimin e Taulant Ballës nga seanca dhe dënimin e tij me dy muaj, duke e cilësuar si “sharlatan”. Ajo iu drejtua kolegeve të mazhorancës duke pyetur nëse kishin “motra, nëna dhe gra” në familjet e tyre, duke iu referuar fyerjeve seksiste dhe intimidimeve të vazhdueshme që, sipas saj, Balla i kishte bërë në Kuvend.
Nga ana e saj, Bora Muzhaqi, gjatë fjalës së saj, iu kthye Vokshit duke i kujtuar fjalorin e përdorur dhe iu drejtua me të njëjtën pyetje, gjë që shkaktoi irritimin e opozitares.
Përplasja verbale mes dy ligjvënëseve degradua në tone të ashpra, duke kaluar nga diskutimi politik në replika personale. Gjatë debatit, Muzhaqi iu drejtua Vokshit me fjalët: “Si do të vinte ty po t’i thonin vajzës tënde atë që më the ti mua?!”
Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Vokshit, e cila u përgjigj me tone të larta: “Mos i përmend fëmijët e mi. Mbylle gojën. Fëmijët e mi mos mi përmend kurrë. Mbylle gojën. Pusho… të të vijë turp, turp të kesh, mos m’i përmend fëmijët këtu, more vesh…!”.
Nga ana e saj, Muzhaqi vijoi replikën duke theksuar: “Ti mos m’i përmend prindërit”. Ndërsa Vokshi reagoi sërish ashpër: “Fëmijët e mi në këtë grup të qelbur mos mi përmend. Mos guxo ta hapësh gojën… turp!”.
Më pas, deputetet e Partisë Demokratike dolën në një deklaratë urgjente për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, ku dënuan ashpër atë që e cilësuan si një “akt të turpshëm dhe të paprecedent” nga ana e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Në fjalën e tyre, deputetet demokrate akuzuan Ballën për fyerje, kërcënime dhe intimidim të vazhdueshëm ndaj grave të opozitës. “Për të disatën herë, po fyen, po kërcënon, po intimidon gratë e opozitës,” u shpreh Albana Vokshi, duke e cilësuar sjelljen e tij si të papranueshme.
Kritikat nuk u kursyen as për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Sipas opozitës, Peleshi ka provokuar në mënyrë sistematike duke u mohuar të drejtat procedurale deputetëve opozitarë. Ata deklaruan se Peleshi u hoqi fjalën një deputeteje të opozitës për t’ia kaluar një anëtareje të mazhorancës, një veprim që u konsiderua si sulm ndaj fjalës së lirë, veçanërisht në një ditë simbolike si 2 Prilli.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, grupi parlamentar i PD-së kërkon përjashtimin e menjëhershëm të Taulant Ballës nga seanca plenare. “Seanca duhet të vijojë vetëm pas përjashtimit të tij të menjëhershëm,” theksuan deputetet, duke kërkuar gjithashtu që ndaj tij të merret dënimi maksimal.
Sipas tyre, në momentin që deputetët e opozitës kërkuan të marrin fjalën, Balla i shantazhoi dhe i intimidoi.
Në përfundim të deklaratës, Vokshi e cilësoi parlamentin aktual si “të kapur” nga persona që, sipas tyre, nuk përfaqësojnë qytetarët, por lidhjet me krimin e organizuar, duke theksuar se “Taulant Balla nuk e ka vendin në këtë parlament”.
