Irani i ofron marrëveshje të veçanta Bashkimit Europian dhe vendeve aziatike për të sfiduar Donald Trumpin.
Irani po përdor pozicionin e tij gjeopolitik si mjet kryesor, duke kontrolluar Ngushticën e Hormuzit. Në një deklaratë sfiduese ndaj Donald Trump, Teherani ka njoftuar gatishmërinë për të lidhur marrëveshje specifike me vendet europiane, aziatike dhe arabe që përdorin këtë rrugë kyçe për transportin e naftës.
Kryetari i Këshillit Qeveritar të Informacionit, Elias Hazrati, deklaroi se Irani ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe është gati të negociojë drejtpërdrejt me vendet që varen nga ky korridor detar. Ai shtoi:
“Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump flet pa kuptim për Ngushticën e Hormuzit. Sot, kemi vendosur që mund të shpallim një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit. Do t’i ftojmë vendet evropiane, aziatike dhe arabe që duan ta përdorin atë për të lidhur një marrëveshje me ne.”
Ky mesazh është i qartë: Teherani u ofron vendeve me interes jetik për naftën e Gjirit një rrugë të drejtpërdrejtë marrëveshjesh, duke anashkaluar kështu presionin amerikan dhe duke sfiduar hapur politikat e Trumpit.
Më herët, presidenti amerikan kishte deklaruar se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të rikthehej plotësisht pasi të përfundonte konflikti me Iranin, duke theksuar se Teherani vetë ka interes të vazhdojë shitjen e naftës. Trump shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për tranzit përmes Hormuzit dhe se përgjegjësia për rivendosjen e lundrimit bie mbi vendet që e përdorin këtë rrugë për transportin e energjisë.
Në këtë situatë, Irani duket se po përpiqet të shfrytëzojë krizën për avantazh diplomatik. Duke u ofruar europianëve, aziatikëve dhe vendeve arabe një marrëveshje direkte me Teheranin, Irani e vendos Trumpin përballë faktit se kontrolli mbi energjinë globale nuk arrihet vetëm përmes forcës ushtarake.
