Festa për kualifikimin historik në Kupën e Botës pothuajse u kthye në tragjedi, pasi një pjesëtar i stafit pësoi kolaps në fushë nga emocionet.
Futbolli dhuron emocione të mëdha, sidomos kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar. Festa për kualifikimin historik të Irakut në Kupën e Botës 2026, pas fitores në finale kundër Bolivisë, ishte jashtëzakonisht emocionuese.
Megjithatë, emocionet e kësaj arritjeje mund t’i kishin kushtuar shumë shtrenjtë njërit prej pjesëtarëve të stafit teknik të Irakut. Gjatë festimeve në fund të ndeshjes kundër Bolivisë, e cila u zhvillua në Monterrey të Meksikës, personi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka pësuar kolaps nga emocionet e shumta duke rënë në fushë.
Ky incident ka alarmuar pjesëtarët e tjerë të ekipit. Stafi mjekësor i ekipit dhe ai i pranishëm në stadium arritën të ndihmonin personin në fjalë dhe ta shoqëronin në spital. Ai mbetet ende nën vëzhgim mjekësor për shkak të gjendjes së tij.
Iraku arrin të rikthehet në Kupën e Botës pas një mungese prej 40 vitesh në këtë aktivitetin më të rëndësishëm për ekipet përfaqësuese në nivel botëror.
