Një grua dhunohet në Vlorë, akuzon fqinjin e prindërve të saj
Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Vlorës. Një 42-vjeçare, me inicialet E. L., mësuese profesion, ka denoncuar se është dhunuar nga fqinji i prindërve të saj, i cili e ka kapur edhe për fyti. Ngjarja ka ndodhur pak orë më parë në zonën e Skelës.
Sipas denoncimit të saj, fillimisht personi ka ofenduar dhe më pas e ka dhunuar, por ajo ka arritur të shpëtojë dhe të kërkojë ndihmën e policisë. Gruaja ka deklaruar se pak kohë më parë është dhunuar edhe babai i saj, i cili u godit pranë zemrës me një objekt të fortë dhe rrezikoi jetën.
“Sot rreth orës 13:00-13:30, duke shkuar për në shtëpi, më doli para një person i veshur me të zeza, me kapuçin e xhupit të mbuluar gjysmën e fytyrës. Më shtrëngoi për fyti dhe më ofendoi pa asnjë arsye. Me këtë person nuk kam pasur kurrë konflikt. Ky person është banor në pallatin ku jetojnë prindërit e mi dhe quhet Fatjon Dervishi. Në atë moment kam njoftuar policinë dhe më pas, e frikësuar, u drejtova në banesën e prindërve të mi për të kërkuar ndihmë. Në katin e parë të pallatit, personi ishte në të njëjtën rrugë me mua sepse edhe ai do të shkonte në shtëpi. U ndodha e vetme në mes të rrugës. Më dhunoi përsëri, duke më kapur fort për fyti. Në ato momente, duke tentuar t’i iki duart dhe duke lajmëruar për herë të dytë policinë, më goditi në dorë, ma mori telefonin dhe e theu në shesh që unë të mos kisha mundësi të telefonoja askënd. Kjo ndodhi në praninë edhe të dy banorëve të tjerë të pallatit, të cilët janë dëshmitarë. Dhe një gjë tjetër, këta persona na monitorojnë të gjitha lëvizjet sepse kanë vendosur kamera në pallat që i mbikëqyrin vetë ata. Ai mbylli derën e pallatit dhe u largua; ne nuk kishim mundësi ta hapnim derën sepse duhej çelësi. Erdha dhe bëra denoncimin dhe pas kësaj, kur dola nga komisariati, familjarët e tij na pritën tek dera dhe na kërcënuan me jetë”, u shpreh e dhunuara.
Konflikti ka nisur sepse prindërit e 42-vjeçares nuk pranojnë që bashkëshortja e dhunuesit të jetë administratore e pallatit, por duan që ajo të zgjidhet nga banorët.
