“`html
Paguajmë taksa për automjetet dhe qarkullimin 340 milionë euro; për mirëmbajtjen e rrugëve vetëm 36 milionë euro
Përdorimi i automjeteve në vendin tonë rezulton të jetë i tarifuar dukshëm. Krahas taksës së qarkullimit, e cila arkëtohet mbi naftën dhe nga e cila u grumbulluan 24.2 milionë euro në vitin 2025, ekzistojnë edhe pesë lloje të tjera taksash direkte për përdoruesit e mjeteve:
- Taksa për regjistrim fillestar për automjete
- Tarifë shërbimi për Qarkullimin e Automjeteve
- Taksa e përvitshme për automjetet luksoze
Nga këto, peshën kryesore e mban “Taksa për automjetet e përdorura të transportit”, të ardhurat nga e cila arritën në 7.4 miliardë lekë (rreth 76 milionë euro) vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 9.5% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 359 milionë lekë, ose 4.8% e totalit të taksës, u arkëtuan nga makinat luksoze.
Pa përfshirë pagesat e tarifave të rrugës (tolleve), të ardhurat dhe tarifat ndaj automjeteve vitin e kaluar ishin rreth 32 miliardë lekë, ose rreth 340 milionë euro, me një rritje vjetore prej 12.3%. Këtyre u shtohen rreth 26 milionë euro të paguara për kalimin në Rrugën e Kombit, sipas bilancit të Albania Highway Concession Company, kompania që mirëmban me koncesion Partneritet Publik-Privat (PPP) Rrugën e Kombit.
Ndërkohë që niveli i taksave dhe tatimeve të arkëtuara ndaj automjeteve është i lartë, vetëm një pjesë e vogël e këtyre fondeve përçojnë drejt mirëmbajtjes së rrugëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se fondet buxhetore të alokuara për mirëmbajtjen nuk kalojnë 3.5 miliardë lekë në vit (rreth 36 milionë euro). Kjo shumë është dy herë më e ulët se të ardhurat nga taksat e paguara në momentin e kontrollit teknik dhe dhjetë herë më e ulët se të ardhurat totale nga taksat dhe tarifat mbi automjetet.
Ky disproporcion sugjeron se paratë që vijnë drejtpërdrejt nga përdoruesit e rrugës dhe pronarët e automjeteve nuk investohen në të njëjtën masë për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e rrugëve ku këto mjete qarkullojnë. Me një total të ardhurash që arrin 32 miliardë lekë në vitin 2025, fakti që vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume shkon për mirëmbajtje rutinë mbetet një pikëpyetje e madhe në lidhje me eficiencën e shpenzimeve publike karshi nevojave reale të rrjetit rrugor kombëtar.
Buxheti i shtetit funksionon me parimin e mos-destinimit të të ardhurave. Paratë e mbledhura nga Taksa e Automjeteve dhe taksat e tjera derdhen në një fond të përbashkët. Këto fonde shpesh përdoren për të mbuluar mangësi në skemat e pensioneve, për të paguar administratën apo për të shlyer borxhin publik, në vend që të kthehen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Gjithashtu, prioriteti historik i qeverisë ka qenë ndërtimi i rrugëve të reja (investimet kapitale) dhe jo mirëmbajtja e atyre ekzistuese. Kjo praktikë ka krijuar një cikël ku rrugët degradojnë shpejt dhe kërkojnë rindërtim total, i cili kushton shumë më tepër se mirëmbajtja e vazhdueshme. Megjithatë, edhe nëse klasifikojmë të gjitha fondet buxhetore që qeveria alokon për ndërtimin e rrugëve, në shumë vite ato janë shumë më të ulëta se të ardhurat totale të arkëtuara nga automjetet.
“`
