Mësuesit në Mbretërinë e Bashkuar paralajmërojnë se inteligjenca artificiale po dëmton të menduarit kritik të nxënësve
Shumica e mësuesve të shkollave të mesme në Angli raportojnë se aftësitë e të menduarit kritik të nxënësve janë në rënie, si pasojë e përdorimit gjithnjë e më të shtuar të inteligjencës artificiale (IA). Këto të dhëna vijnë nga një sondazh i publikuar të enjten nga Unioni Kombëtar i Arsimit.
Sondazhi, i cili mblodhi përgjigje nga mbi 9,000 mësues të shkollave shtetërore angleze, zbuloi se 66% e mësuesve të shkollave të mesme besojnë se të menduarit kritik të nxënësve është përkeqësuar me përdorimin e IA. Krahasuar me këtë, në shkollat fillore, vetëm 28% e mësuesve shprehin të njëjtin shqetësim.
Në të njëjtën kohë, përdorimi i IA nga vetë mësuesit po rritet ndjeshëm. 76% e tyre deklarojnë se tashmë përdorin mjete të tilla në punën e tyre të përditshme, një shifër kjo në rritje nga 53% sa ishte një vit më parë. Mësuesit përdorin më shpesh IA-në për të krijuar materiale mësimore, për planifikimin e mësimeve dhe për detyra administrative, ndërsa vetëm një pakicë e vogël mbështetet tek ajo për vlerësimin e nxënësve.
Megjithëse përdorimi i IA po zgjerohet, shumë shkolla ende nuk kanë udhëzime formale se si duhet të aplikohet. Pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se shkollat e tyre nuk kanë politika të mirëpërcaktuara për përdorimin e IA-së nga stafi ose nxënësit. Gjithashtu, dy të tretat raportojnë se nuk ka rregulla specifike që rregullojnë përdorimin e saj nga nxënësit.
Sondazhi ka treguar gjithashtu mbështetje të kufizuar për planet e qeverisë për të futur mësues privatë me IA për nxënësit në nevojë. Vetëm 14% e mësuesve e kanë mbështetur këtë propozim, ndërsa gati gjysma e tyre e kanë kundërshtuar.
Mësuesit kanë ngritur shqetësime lidhur me keqpërdorimin e teknologjisë nga nxënësit, duke përfshirë rastet e kopjimit dhe mbështetjen e tepërt nga IA. Një nga të anketuarit u shpreh: “Studentët po humbasin aftësi thelbësore – të menduarit, kreativitetin, shkrimin, madje edhe mënyrën se si zhvillojnë një bisedë.”
Daniel Kebede, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës Kombëtare të Arsimit, ka theksuar se këto gjetje tregojnë rreziqet nëse inteligjenca artificiale nuk menaxhohet siç duhet në sistemin arsimor. Ai tha: “Studentët duhet të jenë në gjendje të mendojnë vetë. Kjo është në thelb të të nxënit, por anketa jonë tregon se mbështetja te inteligjenca artificiale po ndikon në aftësinë e studentëve për të menduar në mënyrë kritike.”
Kebede shtoi se, ndërsa IA mund të ofrojë mbështetje në procesin e mësimdhënies, ajo duhet të miratohet me rregullore dhe mbikëqyrje të duhur. “IA do ta përmirësojë të nxënit dhe do t’i mbështesë mësuesit në rolin e tyre vetëm nëse zbatohet siç duhet, brenda vizionit të një profesioni shumë të kualifikuar,” përfundoi ai.
Sondazhi u krye në shkurt dhe pasqyron atë që sindikata e përshkroi si zgjerimin e shpejtë të përdorimit të IA në shkolla, shoqëruar me mungesa në politika dhe trajnime.
