Gjykata Administrative po shqyrton padinë kundër emërimit të Ols Dados, me pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Gjykata Administrative do të shqyrtojë sot kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shpalljen e pavlefshëm të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Vetë Veliaj do të jetë i pranishëm në seancë, sipas njoftimit të avokatëve mbrojtës.
Kryebashkiaku i Tiranës ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i atëhershëm, Bamir Topi.
Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, duke qenë se nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të pavlefshëm që në fillim (“nul ab initio”), duke shkaktuar pasoja të rënda për Bashkinë e Tiranës, Republikën e Shqipërisë, rendin kushtetues, institucionet, familjen dhe personin.
Ols Dado iu propozua Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, dhe më pas Presidenca ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.
Konflikti mes Veliajt dhe prokurorit të SPAK, Ols Dados, nisi pasi ky i fundit firmosi urdhër-arrestin për kryebashkiakun e Tiranës, vendim i cili u ekzekutua në shkurt të vitit të kaluar. Që prej datës 10 shkurt, Veliaj ndodhet në paraburgim.
