Zhdukja e Ervis Martinajt: Lamallari refuzon të japë sqarime
Ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, u pyet sot nga gazetarët lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt, gjatë një konference për shtyp mbi procesin e integrimit të vendit. Ministri preferoi të mos jepte asnjë informacion, duke theksuar se të gjitha detajet i posedojnë oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori i çështjes.
“Kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet, pasi do të implikonte një titullar politik në çështje operacionale. Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të kryera nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre, si dhe delegimet e bëra nga prokurori i çështjes për vlerësimin e nivelit të hetimit. Për rrjedhojë, nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime, aq më tepër për afate, pasi afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, u shpreh Lamallari.
