Autoriteti i Konkurrencës: Gjoba 40 mln lekë, humbje ndaj Antea Cement

Autoriteti i Konkurrencës arkëtoi 40 milionë lekë nga gjobat, por humbi gjyqin ndaj Antea Cement

Autoriteti i Konkurrencës ka arkëtuar gjoba në vlerën e 40 milionë lekëve gjatë vitit 2025. Sipas informacionit të siguruar nga ky institucion, vlera e gjobave të ekzekutuara ka pësuar një rënie prej 68% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit të kaluar, institucioni njoftoi se ka ekzekutuar plotësisht gjobat ndaj kompanive EKMA Albania, Bloja, Farmacom dhe Pharma One. Ndërkohë, janë ekzekutuar pjesërisht gjobat ndaj shoqërive Bankers Petroleum, Ferlut, Tirana Lines, Adastra dhe Colombo. Këto gjoba janë vendosur nga ky institucion në periudhën mes viteve 2013 dhe 2024.

Gjithashtu, janë ekzekutuar edhe disa prej gjobave të vendosura gjatë vitit 2025, konkretisht ndaj kompanive M42, AGNA, Inter Stock, Balfin dhe PIAZ Investment. Një pjesë e konsiderueshme e gjobave të vendosura nga ky institucion në vitet e fundit mbeten objekt i çështjeve gjyqësore në gjykata të shkallëve të ndryshme.

Mes të tjerash, Autoriteti i Konkurrencës ka humbur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë çështjen me kompaninë Antea Cement, lidhur me vendimin e datës 01.07.2024, i cili kishte të bënte me mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit dhe shitjes së çimentos gri dhe të bardhë, si dhe gjobitjen e ndërmarrjes Antea Cement SHA për abuzim me pozitën dominuese. Gjykata ka pranuar padinë e Antea Cement dhe ka anuluar gjobën prej 97 milionë lekësh, e cila ishte një nga gjobat më të mëdha të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës në vitet e fundit.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka fituar në shkallën e parë të gjykimit administrativ çështjet me palë paditëse Bloja, Star Parking Albania dhe Tirana Administrim, për gjobat e vendosura ndaj këtyre ndërmarrjeve në periudhën 2021-2024. Gjithashtu, ka fituar edhe çështjen ndaj Neofone, lidhur me vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për të mos marrë parasysh ankesat e kësaj kompanie ndaj Vodafone Albania.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka humbur në Gjykatën Administrative të Apelit çështjen ndaj shoqërive Agroblend MBM dhe Caca, me objekt vendimin e vitit 2022 mbi hetimin e thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure. Në të njëjtën shkallë, Autoriteti i Konkurrencës ka fituar çështjet ndaj Vodafone Albania, EKMA Albania dhe SGS Automotive Albania.

Gjoba e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës është titull ekzekutiv dhe mblidhet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Megjithatë, subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për të kërkuar pezullimin e ekzekutimit të tij. Shumë vonesa në ekzekutimin e gjobave lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore.

Scroll to Top