Vrasje në Vlorë: 63-vjeçari dhunohet për vdekje, tre në kërkim

63-vjeçari dhunua për vdekje në Vlorë, policia shpall në kërkim tre persona

Janë zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e djeshme në Vlorë, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj. Ngjarja rezulton të ketë ardhur si pasojë e një konflikti të nisur disa ditë më parë mes djalit të viktimës dhe personit që më pas goditi të atin me grushte e shkelma, duke i shkaktuar vdekjen.

Policia njoftoi sot se për këtë ngjarje të rëndë, janë shpallur në kërkim tre persona. Të shpallurit në kërkim janë Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, banues në Gjorëm.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë.

Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën. Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Scroll to Top