Berisha akuzon Taulant Ballën për porositje vrasjesh

Berisha: Taulant Balla ka porositur vrasje, por ka imunitet si Edi Rama

Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar sërish Taulant Ballën se ky i fundit është i përfshirë në veprimtari kriminale, përfshirë edhe porositjen e vrasjeve.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit online, Berisha u shpreh se ekzistojnë dokumente zyrtare që implikojnë Ballën në çështje të rënda penale, por këto dokumente janë asgjësuar me vendime të institucioneve të drejtësisë në Elbasan.

Ai pretendoi gjithashtu për lidhje të Ballës me grupe kriminale dhe ndikim në procese hetimore. Berisha ngriti akuza edhe për ndërhyrje në raste konkrete kriminale dhe për përdorim të pushtetit për përfitime të paligjshme, duke përmendur edhe çështjen e njohur si “Toyota Yaris”.

“Taulant Balla është sot në parlament, pas Edi Ramës, njeriu me dokumente zyrtare, i provuar si njeri që ka porositur vrasje. Këto dokumente janë asgjësuar me vendim të një prokurori dhe një gjykatëseje në Elbasan. Procesverbali i këtij vendimi ekziston dhe është publikuar.

Taulant Balla ka bërë marrëveshje me kartelin e Suel Çelës për të arrestuar bandat rivale në mënyrë që ato t’i sigurojnë qindra mijëra vota dhe kjo marrëveshje është zbatuar. Bandat rivale u arrestuan dhe karteli i Suel Çelës i siguroi qindra mijëra vota.

Taulant Balla është personi që u dërgua nga Suel Çela për të liruar nga burgu dy terroristë që kishin vendosur eksploziv në një biçikletë për të shkaktuar një shpërthim. Tritoli ra nga biçikleta dhe shpërtheu në rrugë.”

Scroll to Top