Rama akuzon opozitën për pengesa në integrimin e Shqipërisë

Procesi i integrimit, Rama akuzon opozitën!

Kryeministri Edi Rama ka drejtuar sërish kritika ndaj opozitës, duke theksuar se ajo po vepron kundër interesit kombëtar përsa i përket procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi të Asamblesë së PS-së në Njësinë 12, kryeministri u shpreh se në betejën për integrimin, vendi është i vetëm, duke iu referuar opozitës, të cilën e cilësoi si të “verbër”. Sipas tij, kundërshtarët politkë ngatërrojnë rivalitetin me Partinë Socialiste me interesin kombëtar dhe të mirën e vendit për t’u anëtarësuar në unionin evropian.

Rama shpjegoi më tej mekanizmin e integrimit, duke theksuar se mbyllja e negociatave me BE është një proces që kërkon përmbushjen e detyrimeve dhe më pas marrjen e vendimit nga vendet anëtare.

“Mbyllja e negociatave me BE do të thotë mbyllja e hesapit me BE. Hapi i parë është Brukseli, ku të gjitha zyrat dhe nëpunësit që merren me reformat, ndjekin masat dhe veprimet që ndodhin dhe bëjnë raportin për nivelin e dytë. Ata raportojnë vetëm për ecurinë e punës apo nëse janë kryer detyrat, dhe më pas në nivelin e dytë janë vendet anëtare. Janë 27 vende që ulen për të marrë vendim dhe mënyra se si funksionon është konsensusi. Mjafton që një vend të thotë ‘nuk duam’, dhe vendimi nuk merret. Çdo vendim i BE merret me konsensus. Por sot, të gjitha vendet thonë se duam ta pranojmë Shqipërinë në BE. Megjithatë, duhet të kuptojmë se jemi vetëm në këtë betejë. Kemi sfidat tona, jemi shumica por jemi vetëm. Sepse të tjerët janë kundër nesh dhe janë aq të verbër saqë ngatërrojnë kundërshtinë me ne me interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët të vendit, të fëmijëve tanë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për t’u futur në BE,” – u shpreh Rama.

Scroll to Top