Nafta / Berisha: Rama synon të krijojë një “ndërmarrje të zezë” si AKSHI
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar rritjen e çmimit të naftës në 224 lekë për litër, duke i cilësuar masat e qeverisë së Edi Ramës si “qesharake”.
Berisha theksoi se çmimi i naftës ka arritur një nivel ndër më të lartët në botë. Sipas tij, ndonëse lëvizja e çmimit është e diktuar nga kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme dhe goditjet e vendeve të Gjirit nga Irani, Shqipëria shquhet për një rritje çmimi më të lartë se çdo vend tjetër.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën, duke arritur në 60% të çmimit të saj. Kjo, sipas Berishës, detyron kompanitë të mbajnë çmime “stratosferike”.
Më tej, Berisha argumentoi se në raport me pagat apo të ardhurat ditore, Shqipëria rezulton të ketë një kosto për naftën 6-8 herë më të lartë sesa qytetarët e vendeve të tjera, duke e quajtur naftën një “ndëshkim të vërtetë” dhe “taksë absurde” që paguhet nga qytetarët shqiptarë.
Ai tha se Edi Rama tatoi naftën me 1.1 euro për litër, duke tejkaluar çdo vend tjetër në botë me 60% të çmimit. Berisha i cilësoi masat e shpallura nga qeveria si “qesharake” dhe pa ndikim.
Si masa të vërteta, ai përmendi ato të shpallura nga Australia dhe vendet e tjera, si përgjysmim i menjëhershëm i barrës fiskale mbi naftën. Për Shqipërinë, kjo do të nënkuptonte uljen e taksave nga 1.1 euro në 0.55 euro për litër, duke e barazuar taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.
Berisha kërkoi gjithashtu luftimin e “kontrabandës qeveritare”, duke përmendur 350 mijë ton naftë që hyjnë pa doganë, të cilën ai ia atribuon vetëm “kontrabandës së ministrave të Ramës”.
Sipas tij, zgjidhja që kërkon Rama është një “mashtrim” për të krijuar një ndërmarrje përfituese, siç ka ndodhur me AKSHI dhe e-Albania. Ai ftoi qytetarët të bashkohen në revoltën e Partisë Demokratike kundër këtij regjimi.
