Rënie Investimesh Individë në Bono e Obligacione Shqiptare

Yield-et e ulëta kanë sjellë rënie të investimeve individuale në bono dhe obligacione për të tretin vit radhazi

Investimet e individëve në titujt e emetuar nga qeveria shqiptare kanë pësuar një trend rënës për të tretin vit radhazi në vitin 2025. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vitin e kaluar, blerjet e bonove dhe obligacioneve nga individët në tregun primar arritën në 23.8 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 16.5% krahasuar me vitin 2024.

Edhe numri i transaksioneve ka pësuar rënie, duke zbritur në 7299, me një ulje vjetore prej 24.4%. Nga instrumentet financiare të analizuara, investimi në bono thesari vazhdon të ketë peshën kryesore. Megjithatë, edhe kjo kategori ka shënuar ulje, ku vlera e blerjeve në tregun primar zbriti në 18.6 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 18.1%.

Nga ana tjetër, investimi në obligacione u tkurr në 5.2 miliardë lekë, duke qenë 10.2% më pak krahasuar me vitin 2024. Të dhënat e mësipërme përfshijnë transaksionet e kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Individët kanë gjithashtu mundësinë të investojnë në bono thesari edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.

Sipas Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2025, individët zotëronin 18.53% të instrumenteve të borxhit të brendshëm, krahasuar me 19.8% në fund të vitit 2024. Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare ka raportuar gjithashtu një rënie të investimeve të individëve edhe në tregun dytësor. Blerjet nga portofolet e ndërmjetësve financiarë nga individët ranë në 1.88 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 60% krahasuar me një vit më parë.

Në Shqipëri, aktualisht operojnë dhjetë shoqëri komisionere, shumica dërrmuese prej të cilave janë banka tregtare, duke mundësuar investimin në titujt e qeverisë shqiptare.

Rënia e interesit të individëve për investime në bono dhe obligacione vlerësohet të jetë kryesisht pasojë e uljes së mëtejshme të yield-eve. Vendimet e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit, gjendja likuide në tregun financiar dhe ulja e perceptimit të rrezikut kanë kontribuar në një rënie të yield-eve për të gjitha instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare gjatë vitit 2025.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm, në fund të vitit 2025, ra në 4.23%, nga 4.56% që kishte qenë në fund të vitit 2024. Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.35%, nga 4.65% në fund të vitit paraprak. Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.

Scroll to Top