Lufta në Iran: Dëme Mjedisore Shkatërruese

Lufta në Iran: Pasojat shkatërruese për mjedisin dhe klimën

Pasojat ekologjike të konfliktit në Iran, edhe pse ende nuk janë përcaktuar plotësisht, konsiderohen shkatërruese për mjedisin. Sulmet ndaj infrastrukturës së naftës çlirojnë substanca shumë toksike.

Gjatë sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, janë goditur dhjetëra objekte nafte. Nga ana tjetër, Irani ka vënë në shënjestër instalimet për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës në disa shtete të Gjirit Persik.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar se lufta aktuale në Iran po shkakton pasoja të rënda edhe për mjedisin dhe klimën. Kjo për shkak se sulmet ndaj infrastrukturës së naftës çlirojnë substanca shumë toksike.

Edhe pse dëmet e shkaktuara prej luftimeve ende nuk mund të përcaktohen me shifra konkrete, sipas një analize të think tank-ut britanik Conflict and Environment Observatory, konflikti paraqet një “rrezik të madh për dëme akute dhe afatgjata”.

Konsiderohet e sigurt se sulmet ndaj impianteve të naftës dhe të gazit, si dhe ndaj rafinerive, po e rëndojnë ndjeshëm rajonin.

Dëme për ekosistemet

  • Në tokë kanë depërtuar lëndë djegëse fosile, metale të rënda dhe substanca per- dhe polifluoroalkile, të cilat janë shumë rezistente ndaj ujit dhe nxehtësisë.
  • Zjarret kanë çliruar ndotës si dioksinat dhe furanet.
  • Mjedisi ndotet edhe prej gazrave që shkaktohen nga përdorimi i armëve apo nga zjarret në terminalet e naftës.
  • Janë regjistruar gjithashtu emetime të mëdha gazrash që shkaktojnë efektin serrë.
  • Janë shkaktuar dëme ndaj sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe është përkeqësuar kriza e ujit në Iran.
  • Sipas ekspertëve, zjarret ndaj cisternave të naftës në rajon përbëjnë rrezik në rritje edhe për peshqit dhe gjallesat detare.

Megjithatë, mungojnë ende shumë të dhëna, ndaj një vlerësim i plotë i rreziqeve të mundshme për ekosistemet, tokën, ujin, ajrin dhe ushqimin nuk është ende i mundur.

Si pasoja të tërthorta konsiderohen edhe:

  • Përdorimi i shtuar i qymyrit në vend të gazit në vendet që importojnë gaz.
  • Në të ardhmen, emetimet e larta të CO₂ për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar nga lufta.
Scroll to Top