Gjermania shtrëngon rregullat për leje qëndrimi jashtë vendit

Gjermania shtrëngon rregullat për lejet e qëndrimit jashtë vendit për të rinjtë, në kuadër të shërbimit ushtarak vullnetar.

Qeveria gjermane ka miratuar rregulla të reja që prekin burrat e moshës 17 deri në 45 vjeç, të cilët mund të kenë nevojë të aplikojnë për leje nëse planifikojnë të qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se tre muaj.

Këto masa bëjnë pjesë në ligjin e ri për shërbimin ushtarak vullnetar, i cili hyri në fuqi më 1 janar. Ato synojnë të forcojnë mbrojtjen kombëtare, duke marrë parasysh shqetësimet e rritura për sigurinë në Evropë, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes, çdo burrë mbi 17 vjeç duhet të marrë miratim paraprak për qëndrime të zgjatura jashtë vendit. Autoritetet sqarojnë se këto miratime pritet të jepen në rrethana normale, ndërsa mbetet e paqartë mënyra e trajtimit të shkeljeve.

Një zëdhënës i ministrisë theksoi se qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi të besueshëm regjistrimi ushtarak. Ai shtoi: “Në rast emergjence, duhet të dimë se kush ndodhet jashtë vendit për një periudhë të gjatë.”

Ligji i ri parashikon gjithashtu rritjen e numrit të trupave të Bundeswehr në rreth 260 mijë deri në vitin 2035, nga 180 mijë aktualisht.

Në dhjetor, parlamenti gjerman miratoi futjen e një sistemi vullnetar rekrutimi, ku të gjithë 18-vjeçarët marrin një pyetësor për të shprehur interesin për shërbim ushtarak. Nga korriku i vitit 2027, pritet të nisë edhe vlerësimi i aftësisë fizike për të rinjtë, në rast nevoje për mobilizim.

Edhe pse shërbimi mbetet vullnetar, autoritetet nuk përjashtojnë rikthimin e detyrimit të përgjithshëm nëse situata e sigurisë përkeqësohet. Gjermania hoqi shërbimin e detyrueshëm në vitin 2011, gjatë qeverisjes së Angela Merkel.

Kancelari aktual, Friedrich Merz, është zotuar për forcimin e ushtrisë, me synimin për ta bërë atë forcën më të fuqishme konvencionale në Evropë.

Megjithatë, këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të forta në publik. Shumë të rinj kanë protestuar kundër masave, duke kundërshtuar idenë e një angazhimi më të madh ushtarak dhe duke shprehur frikë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.

Gjermania, ashtu si shumë vende evropiane, kishte reduktuar ndjeshëm ushtrinë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por zhvillimet e fundit ndërkombëtare po e shtyjnë drejt një rritjeje të konsiderueshme të kapaciteteve mbrojtëse.

Scroll to Top