Tentoi të vriste një 42-vjeçar në Fier, i riu arrestohet teksa kalonte kufirin
Policia e Fierit ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Ai dyshohet të jetë autori i sulmit me armë zjarri ndaj një 42-vjeçari, ngjarje e ndodhur në fillim të vitit të kaluar. Arrestimi u bë i mundur në Pikën Kufitare të Kakavijës.
Detaje nga policia:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit K. B., 27 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas ishte shpallur më parë në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas hetimeve të kryera, rezulton se më 5 janar 2025, 27-vjeçari, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin G. H., 42 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Gjykata i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Arrestimi i tij u realizua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
