AKU bllokon mbi 7 ton djathë në Shkodër
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka bllokuar 7,196 kg djathë të bardhë lope gjatë një kontrolli të ushtruar në subjektin “Nail Idrizi”, i cili kryente aktivitet baxho.
Trupat inspektuese kanë vendosur gjithashtu bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit të subjektit deri në plotësimin e standardeve higjieno-sanitare.
Ndaj subjektit janë marrë masa administrative, duke përfshirë dy gjoba:
- Një gjobë prej 300,000 lekë për shkelje të kushteve të higjienës, bazuar në Ligjin Nr. 9863 “Për ushqimin”, neni 68, pika 1, germa “h”.
- Një gjobë prej 100,000 lekë për shkelje të kërkesave të gjurmueshmërisë së produkteve.
AKU njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
