Rama: Ekonomia ecën, korrupsioni nuk rritet

Rama: Nëse korrupsioni do të ishte rritur, ekonomia nuk do të ecte përpara. E refuzoj me përbuzje këtë pretendim

Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti të Partisë Socialiste në Njësinë 12 në Tiranë, iu referua zhvillimit ekonomik të vendit dhe kritikave për rritjen e korrupsionit. Ai deklaroi se refuzon kategorikisht pretendimet për rritje të korrupsionit, duke argumentuar se një zhvillim i tillë ekonomik nuk do të ishte i mundur nëse korrupsioni do të ishte shtuar.

“E kemi sjellë Shqipërinë në një pozicion krejt tjetër nga ai që kishte. Kemi fituar respekt dhe besim nga ata që na trajtonin me sipërfaqësi. Njëkohësisht, kemi parë një rritje të ekonomisë. E di që pavarësisht rritjes ekonomike, ajo nuk është kurrë e mjaftueshme dhe njerëzit gjithmonë synojnë më shumë. Por, paga është rritur në mënyrë sistematike dhe tani kemi nisur të paguajmë edhe përvojën në punë. Sot, mësuesit, mjekët, infermierët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë marrin pagë shtesë për vjetërsinë. Kjo po ndodh sepse ne krijuam mundësitë për këtë,” tha Rama.

Ai shtoi: “Kur morëm detyrën, ishte normale që pensionistët kërkonin rritje të pensioneve, por nuk kishte mundësi financiare. Ajo ishte ekonomia trashëguar, dhe ne duhet të krijonim mundësinë. Rritja ka filluar në janar me një bonus ekstra, i cili vitin e ardhshëm do të jetë dyfishi, në 2028-ën trefishi, në 2029-ën katërfishi dhe në 2030-ën pesëfishi. Kjo ndodh për shkak të rritjes së mundësive.”

Kryeministri theksoi se shifrat zyrtare tregojnë një realitet pozitiv: “Ne nuk numërojmë pasaportat shqiptare që hyjnë në Shqipëri, por vetëm ato të huaja. Këto janë faktet. Një person nuk mund të dalë dhe të thotë hapur: ‘Korrupsioni është rritur’. Kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse po të ishte rritur korrupsioni, ekonomia, pensionet, si dhe numri i përfituesve nga garat publike nuk do të kishin shënuar rritje.”

Rama përfundoi duke u shprehur: “Unë e refuzoj me përbuzje këtë pretendim, ku dëgjoj vetëm kritika të tipit: ‘Vjedhje, vjedhje, vjedhje! Korrupsion, korrupsion, korrupsion!’. Por, sikur këto të ishin të vërteta, ndryshimet që ne kemi bërë nuk do të ndodhnin,” tha ai.

Scroll to Top