Berisha harron Florian Binajn, 5 muaj pas propozimit për Tiranën: Do t’u ofrojmë qytetarëve kandidaturën më të shkëlqyer
Vetëm pesë muaj pasi shpalli Florian Binajn si kandidatin e mbështetur nga opozita për zgjedhjet lokale për Tiranën, Sali Berisha duket se është tërhequr nga ky propozim.
Më 6 tetor të vitit të kaluar, kur fillimisht u caktua data 9 nëntor për zgjedhjet e Tiranës (vendim i cili u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese), Sali Berisha ishte i bindur se Florian Binaj do të fitonte bashkinë përballë Ogerta Manastirliut.
Këtë të shtunë, gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se vendimi për kandidaturën e opozitës do të merret nga vetë ajo dhe jo nga një kandidat i pavarur. Kryedemokrati theksoi se përgatitjet kanë nisur dhe kandidatët do të prezantohen shumë muaj përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
“Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale. Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira,” – tha Berisha.
“Do u ofrojmë qytetarëve kandidaturën më të shkëlqyer,” – shtoi ai.
