Benjamin Netanyahu konfirmon sulme ndaj uzinave petrokimike iraniane, duke theksuar se Izraeli do të vazhdojë goditjen kundër Iranit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme ndaj objekteve petrokimike në Iran. Ky veprim paraqet një përshkallëzim të ri të tensioneve mes dy vendeve.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve të mediave iraniane për të paktën pesë persona të vrarë si pasojë e një sulmi ndaj kompleksit petrokimik në Mahshahr.
“Në vijim të operacioneve tona, pasi shkatërruam 70 për qind të kapacitetit të tyre të prodhimit të çelikut, i cili përdoret si lëndë e parë për armët kundër nesh, sot goditëm objektet e tyre petrokimike,” u shpreh Netanyahu në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social X.
Ai theksoi se sulmet janë pjesë e një strategjie më të gjerë kundër autoriteteve iraniane.
“Ju premtova se do të vazhdojmë të godasim regjimin terrorist në Teheran dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë,” deklaroi ai.
