“`html
Ndërsa rreziku nga energjia shtohet, inflacioni bazë mbetet mbi 3%
Inflacioni bazë në ekonominë shqiptare shfaqet i qëndrueshëm mbi nivelin e 3%, duke sinjalizuar presione të brendshme për rritje të çmimeve, sidomos nga sektori i shërbimeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë vjetor në shkurt arriti në 3.06%, një rënie e lehtë nga 3.09% në janar dhe 2.33% në shkurt 2025. Ky nivel e vendos inflacionin bazë pranë pikave më të larta të dy viteve të fundit, duke pasqyruar një tendencë rritjeje për mallrat e qëndrueshëm dhe shërbimet e prodhuara në vend.
Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e qirave është burimi kryesor i presioneve inflacioniste të brendshme dhe faktori më përcaktues për rritjen e inflacionit bazë.
Inflacioni bazë llogaritet duke përfshirë rreth 69.8% të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit (ICCK), një rritje e lehtë nga 69.6% në vitin 2025, për shkak të ndryshimeve metodologjike nga INSTAT. Kjo masë përjashton produktet me luhatshmëri të lartë si ushqimet dhe energjia, duke u fokusuar te tendencat më afatgjata të çmimeve. Ky tregues monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Paralelisht, edhe inflacioni bazë neto ka mbetur i lartë. Në shkurt, ai ishte 3.59%, krahasuar me 2.09% një vit më parë. Inflacioni bazë neto, që përjashton edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara, matet mbi 47.1% të shportës së ICCK.
Ndërsa inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike arriti në 3.44% në shkurt 2026, për të dytin muaj radhazi, duke u krahasuar me 2.08% një vit më parë.
Inflacioni zyrtar, që mbulon të gjithë shportën e mallrave të konsumit, ishte 2.5% në shkurt, nga 1.9% një vit më parë. Inflacioni duket se është në fazë rritjeje, në përputhje me projeksionet e Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, tensionet gjeopolitike të reja në Lindjen e Mesme, që tashmë kanë filluar të ndikojnë në çmimet e naftës, mund të nxisin më tej inflacionin. Nëse çmimet e naftës nuk bien shpejt, një valë e re inflacioniste në ekonomi do të jetë e pashmangshme.
“`
