BIRN: Banka e Shqipërisë bleu 1 miliardë euro gjatë vitit 2025
Banka e Shqipërisë bleu shifrën prej 1 miliardë e 27 milionë eurosh në tregun valutor gjatë vitit 2025. Kjo shumë, e barabartë me 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas teorisë ekonomike kryesore, duhet të ketë shkaktuar “zhvlerësim të brendshëm” të monedhës kombëtare, pra inflacion. Megjithatë, inflacioni nuk duket në nivele shumë të larta, të paktën sipas Indeksit të Çmimeve të Mallrave të Konsumit të matur nga Instituti i Statistikave.
Banka e Shqipërisë filloi të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor në vitin 2024, pavarësisht këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të mos e bërë. Në vitin 2024, u blenë 649 milionë euro, përveç 283.8 milionë eurove të blera për rritjen e rezervës valutore të vendit.
Blerjet rifilluan në maj të vitit 2025 dhe kulmuan në korrik, ku brenda një muaji u blenë pothuajse 236 milionë euro me qëllim të deklaruar “për frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit”. Blerjet gjatë vitit 2025 vijuan çdo muaj dhe arritën në total 729.1 milionë euro. Krahas kësaj blerjeje për efekt të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë vijoi blerjet e zakonshme për rritjen e rezervës valutore në masën 297.9 milionë euro. Totali i blerjeve për të dyja qëllimet arriti në këtë mënyrë në 1 miliardë e 27 milionë euro.
Në total, gjatë vitit 2024 u blenë 933 milionë euro për të dyja arsyet, shifër kjo që u rrit në 1.027 milionë më 2025. Liku shqiptar e nisi vitin 2025 në kuotën 98.3 lekë për euro dhe e mbylli në kuotën 96.8 lekë për euro. Pavarësisht blerjes së një shume kaq të madhe eurosh, leku sërish pësoi një forcim me 1.5%. Liku ka vijuar të forcohet në muajt e parë të këtij viti. Aktualisht, euro kushton 95.8 lekë, 1% më lirë se sa në fillim të vitit.
Ndërhyrjet në tregun valutor të Shqipërisë u bënë për shkak se leku është forcuar në mënyrë të konsiderueshme nga viti në vit, që nga viti 2018. Shumë besojnë se paratë e pista, të fituara nga krimi i organizuar shqiptar, kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e kokainës, janë shkak i pranisë shumë të lartë të euros në tregun shqiptar dhe rrjedhimisht, nënçmimit të saj kundrejt monedhës kombëtare. Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se nuk janë paratë e pista origjina e tepricës së euros në vend, por suksesi ekonomik i vendit në tërheqjen e turistëve të huaj dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta, duke pretenduar se janë para të pastra e jo të pista.
Sido që të jenë, problemi për vendin mbetet i njëjtë. Fenomeni i ekspozimit të një vendi ndaj një fluksi të lartë dhe të papritur monetar është studiuar nga ekonomistët prej dekadash, duke dalë në konkluzionin se për një situë të tillë nuk ka zgjidhje të lehtë dhe se pasojat ekonomike janë zakonisht shumë negative.
Në vitin 1982, duke marrë shembullin e krizës së shkaktuar nga një fenomen i tillë në Holandë, ekonomistët Corden dhe Neary analizuan problemin duke e ndarë ekonominë në tre kategori:
- Sektorët që kanë sjellë bumin e eksporteve.
- Sektorët që kanë përjetuar krizë si pasojë e forcimit të monedhës kombëtare.
- Sektorët e mallrave dhe shërbimeve të patregtueshme, pra ato që prodhohen dhe konsumohen brenda vendit.
Modeli i tyre tregon se të ardhurat nga sektori me eksporte në rritje konvertohen në tepricë paraje në dy sektorët e tjerë, gjë që sjell inflacion dhe varfërim. Mënyra se si paraja e tepërt nga sektori me eksporte transferohet te dy sektorët e tjerë është ose në mënyrë të tërthortë, përmes kursit të këmbimit dhe forcimit të monedhës vendase, ose në mënyrën e padukshme dhe indirekte të rritjes së çmimeve, në rastet kur vendet përdorin kurs fiks këmbimi ose kur, si në rastin aktual të Shqipërisë, banka qendrore ndërhyn në treg. Kësaj rruge të dytë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i referohet si “zhvlerësim i brendshëm”.
Shembuj globalë për këtë fenomen përfshijnë “Sëmundjen Holandeze” dhe Kolumbinë gjatë bumit të kafesë. Nga viti 1975, çmimi i kafesë në tregun ndërkombëtar u rrit me shpejtësi dhe Kolumbia përjetoi një bum në të ardhurat valutore, i cili shkaktoi forcim të monedhës vendase. Ky forcim, nga ana tjetër, shkaktoi ngadalësim ose rënie në disa sektorë tradicionalë të rëndësishëm si tekstilet. Ndërmjet rënies së eksporteve tradicionale dhe rritjes së eksporteve “të reja”, sektori i ndërtimit përjetoi një bum, bashkë me “shërbimet qeveritare”.
Situata aktuale shqiptare ngjan, në këtë kuptim, si kronikë e një krize të paralajmëruar. Liku është forcuar nga viti 2018 dhe sektori i bujqësisë, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, ka pësuar rënie të pandërprerë në prodhim që nga tremujori i tretë i vitit 2020. Sektori i industrisë në tërësi ka pësuar rënie që nga tremujori i katërt i vitit 2023. Industria përfshin si industrinë e rëndë (energjia elektrike, nafta), prodhimi i së cilës nuk varet drejtpërsëdrejti nga kursi i këmbimit, ashtu edhe sektorin e manifakturës (kryesisht veshje dhe këpucë). Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i manifakturës ka pësuar tkurrje të vazhdueshme në aktivitet që nga tremujori i dytë i vitit 2023. Përkundër kësaj, ndërtimi dhe administrata publike kanë vijuar të jenë në rritje.
Blerjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor janë në nivelin e 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit të kaluar. Një ndërprerje e këtyre prurjeve valutore, siç ka gjasa të ndodhë nga përballja me realitetin në sektorin e ndërtimit, fryrja e të cilit gjatë viteve të fundit nuk parashikon asgjë tjetër veçse një fluskë dhe shfryrje të pritshme, do të lërë vendin pa të ardhurat në valutë dhe në pamundësi për të rekuperuar prodhimin në sektorët që kanë pësuar rënie.
Për shembull, sektori fason, i cili ka vuajtur më shumë rënien e konkurrueshmërisë në tregun ndërkombëtar si pasojë e forcimit të lekut, nuk do ta ketë të lehtë të nisë nga e para me shtimin e forcës së punës, sepse punëtorët kanë lëvizur gjetkë ndërkohë. Bujqësia, problemet e së cilës nuk lidhen thjesht me humbjen e konkurrueshmërisë por janë probleme më të thella strukturore të lidhura me qeverisjen, si titujt e pronësisë apo infrastruktura primare, ka gjasa do ta ketë edhe më të vështirë ringritjen.
Qeveria, e cila ka shtuar forcën punëtore në mënyrë të konsiderueshme bashkë me pagat, do të duhet të akomodojë financat e veta.
