Trump zgjat afatin për Iranin lidhur me Ngushticën e Hormuzit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur kërcënimin e tij për sulme ndaj infrastrukturës iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit. Këto deklarata vijnë disa orë pasi forcat amerikane shpëtuan një anëtar të ekuipazhit që ishte rrëzuar nga një aeroplan luftarak F-15.
“E marta, 7 prilli, do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni,” ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social.
Afati i ultimatumeve të Trumpit ka ndryshuar disa herë në postimet e tij të fundit në rrjetet sociale dhe në intervista.
- Në një intervistë më 5 prill për të përditshmen amerikane “The Wall Street Journal”, Trump tha se Irani duhet ta hapë ngushticën brenda dy ditësh, përndryshe “do të mbeten pa termocentralet dhe centralet e tjera që i kanë në të gjithë shtetin”.
- Fillimisht, Trump kishte sinjalizuar se afati i fundit ishte 6 prilli. Më vonë, ai bëri një postim tjetër: “E martë, ora 8:00 të mbrëmit sipas kohës lindore!”, pa dhënë më shumë hollësi.
Pavarësisht kërcënimeve, Trump ka deklaruar në një intervistë për Fox News se Teherani është “duke negociuar tani” dhe ai beson se ka mundësi të mira për arritjen e një marrëveshjeje në 24 orët e ardhshme.
“Mendoj se ka mundësi të mira për 6 prillin. Po negociohet tani. Nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, po e shqyrtoj shkatërrimin e gjithçkaje dhe marrjen e naftës,” ka shtuar ai.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i japin fund “lojës së rrezikshme” dhe luftës me Teheranin. Qalibaf, i cili konsiderohet nga disa në Shtëpinë e Bardhë si një partner i mundshëm, ka akuzuar Uashingtonin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale më 5 prill se po bën “hapa të pamatur” në konflikt dhe se “i gjithë rajoni do të digjet”.
Mes tjerash, Trump ka thënë se SHBA-ja u ka dhënë armë protestuesve iranianë “përmes kurdëve”. “Besoj se kurdët i kanë mbajtur ato,” ka shtuar presidenti amerikan. Kjo ishte një referencë për protestat që shpërthyen në fund të dhjetorit në Iran, për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, para se të zgjeroheshin në protesta kundër regjimit në të gjithë vendin. Dhjetëra mijëra iranianë janë vrarë apo arrestuar në këto protesta, të cilat janë shtypur me dorë të hekurt nga shteti.
Paralajmërimet e Trumpit vijnë ndërkohë që Irani ka mbyllur pothuajse tërësisht Ngushticën e Hormuzit, prej nga kalon 20 për qind e furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Si pasojë, çmimet e energjisë janë rritur në gjithë botën.
Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka nisur më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe vendeve të Gjirit Persik, dhe në disa raste ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane.
