Joshua Kimmich, mesfushori i Bayern Munich dhe Gjermanisë, ka shprehur keqardhje për faktin se Italia nuk do të marrë pjesë në Botërorin e vitit 2026.
Në një deklaratë për Sky Sport, para ndeshjes kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu, Kimmich theksoi se, megjithëse ky është Botërori i tretë radhazi që Italia mungon, nuk duhet harruar suksesi i tyre në Kampionatin Europian. Ai kujtoi se Gjermania nuk arriti të fitonte atë trofe.
“Në dekadën e fundit, ne kemi fituar vetëm një Kupë Konfederatash,” tha Kimmich. “Kështu që ndoshta nuk jam personi më i përshtatshëm për t’u pyetur, por sigurisht që gjithmonë shpresoj që Italia të marrë pjesë si në Europian ashtu edhe në Kupën e Botës.”
Kimmich shtoi se Italia është një vend me lojtarë të shkëlqyer dhe se ai dëshiron t’i shohë ata në Kupën e Botës. “Prandaj, nuk jam i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat,” përfundoi gjermani.
