“`html
Kërkesa për heqjen e masës së pezullimit nga detyra, Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën për Belinda Ballukun
Gjykata e Posaçme ka vendosur sërish që të lërë në fuqi masën ndaj Belinda Ballukut, pas kërkesës së saj për heqjen e pezullimit nga detyra.
Mbrojtja e Ballukut argumentoi se nuk ka më objekt për masën e pezullimit dhe se ka kaluar afati tre-mujor. Më herët, gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Miliana Muça, pasi shqyrtoi kërkesën për heqjen e pezullimit, e la atë në fuqi.
Në datën 9 prill, një trupë tjetër gjyqësore në Gjykatën e Lartë do të dëgjojë avokatët, të cilët insistojnë për heqjen e masës së sigurisë, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit për deputeten Balluku.
Më 13 mars, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra, pasi ajo është marrë e pandehur nga SPAK.
Belinda Balluku kishte ankimuar vendimin për masën e sigurisë “pezullim nga detyra”, pas vendimit të GJKKO të datës 22 nëntor.
Gjykata e Posaçme caktoi dy masa sigurie për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë.
Disa ditë më vonë, qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Ballukun. Kryeministri Edi Rama e cilësoi cenim të ekzekutivit vendimin e Gjykatës së Posaçme, por Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e kreut të qeverisë.
Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur, lidhur me projektet e kushtueshme të tunelit të Llogarasë, tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
“`
