Postar i Serbisë arrestohet në Mitrovicë për shpërndarje “të paligjshme” të dërgesave
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Mitrovicën e Veriut, të cilët dyshohet se, si punonjës të Postës së Serbisë, kanë shpërndarë në mënyrë “të paligjshme” dërgesa postare.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se këta persona u ndaluan pasi u mor informacion se ata po shpërndanin letra.
“Morëm informacion se kishin dërgesa postare me vete, kryesisht bëhej fjalë për vendime nga gjykatat [të Serbisë]. Kjo është e paligjshme për Kosovën, letrat gjyqësore duhet të arrijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë”, tha Elshani.
Ai shtoi se personat e ndaluar janë liruar pas marrjes në pyetje dhe se çështja tani i është referuar Departamentit për Krime Ekonomike.
Radio Evropa e Lirë merr vesh nga burime brenda Postës së Serbisë se punonjësit e saj në Kosovë kanë vazhduar të punojnë pjesërisht në terren edhe pas mbylljes së institucioneve.
Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë institucionet e Serbisë në Kosovë si paralele dhe të paligjshme. Mbyllja e tyre ka filluar në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave nga bashkësia ndërkombëtare për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, kryesisht ata nga komuniteti serb.
Për shembull, serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, ku disa prej tyre u janë paguar në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo lehonat, pensionet, ndihma sociale dhe të ngjashme.
Në fillim të vitit 2025, Radio Evropa e Lirë ka publikuar rrëfimin e një punonjësi në një nga këto institucione, i cili ka deklaruar se disa ditë në javë punon edhe nga shtëpia, nga Kosova.
Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur edhe institucione të tjera, si:
- Banka Postare e Kursimeve
- Banka Kombëtare e Serbisë
- Drejtoritë e Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore
- Qendrat për punë sociale
- Ndërmarrjet komunale publike
- Organet e përkohshme komunale
- Dhe shumë institucione të tjera
Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë këto institucione dhe shumicën i ka zhvendosur në zonat kufitare brenda territorit të Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar më parë se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vende pune, por se ata do të vazhdojnë të marrin pagat.
