Incidenti gjatë vizitës së kryeministrit në Lezhë: Dy persona të shoqëruar në polici
Gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në qytetin e Lezhës, të martën, ka ndodhur një incident që ka çuar në shoqërimin e dy qytetarëve në komisariat për disa orë.
Festim Meta, njëri nga personat e shoqëruar, ka denoncuar rastin, duke u shprehur se në momentin e ndalimit po kthehej në banesë dhe nuk i është dhënë asnjë shpjegim për arsyet e shoqërimit nga ana e policisë.
Sipas raportimeve mediatike, njëri nga të shoqëruarit është një mbështetës i Partisë Demokratike, ndërsa tjetri është një protestues për çështjen e pronave në zonën e Rrjollit në Velipojë.
Të dy personat janë mbajtur në ambientet e komisariatit për rreth 4 orë, deri në përfundimin e agjendës së kryeministrit dhe largimin e tij nga qyteti.
Burimet bëjnë me dije se policia e Lezhës ka deklaruar se shoqërimi i tyre është bërë në mënyrë parandaluese, pasi kishte informacione se ata “mund të krijonin incidente gjatë vizitës së kryeministrit”.
