Shqipëria & BE: Vonesa në Bruksel,Rezerva për Reformën

Ekskluzive: Shqipëria përballet me vonesa, zbulohet situata e zhvilluar sot në Bruksel

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk janë ende të bindur për përparimin e Shqipërisë, duke çuar në vazhdimin e diskutimeve rreth raportit të IBAR (Instrumenti i Bashkimit për Integrimin dhe Ratifikimin).

“Ende nuk ka ndonjë përparim të dukshëm, por do të zhvillohen më shumë raunde diskutimesh”. Ky ishte përfundimi i mbledhjes së mbajtur këtë të martë (7 prill) në Bruksel, në kuadër të Grupit të Punës për Zgjerimin (COELA) të Këshillit Europian, ku u diskutua për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Një burim i brendshëm raportoi për lapsi.al se në grupin, i cili përbëhet nga përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare dhe diskuton në nivel teknik e politik procesin e zgjerimit, janë ngritur sërish rezerva dhe pyetje lidhur me reformat në Shqipëri.

Sipas së njëjtit burim, në diskutim ishte raporti IBAR, një dokument teknik që vlerëson nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, i cili përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike. IBAR shihet si një filtër kritik, i cili përsëritet herë pas here në vlerësimet për një vend kandidat. Pa kalimin e IBAR-it, kapitujt nuk mund të mbyllen dhe procesi mbetet në vendnumëro. Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian fillojnë dhe përfundojnë me këtë grupkapitull, duke qenë se konsiderohet si një nga më të rëndësishmit.

Lapsi.al ka raportuar edhe më parë se nëntë vende anëtare të Bashkimit Europian kanë shprehur shqetësime për disa çështje, të cilat kanë vënë në pikëpyetje avancimin e vendit tonë në negociata. Në takimin e 1 prillit të grupit të COELA, përfaqësuesit e Gjermanisë, Luksemburgut, Holandës, Suedisë, Austrisë, Finlandës, Polonisë, Greqisë dhe Bullgarisë shprehën rezerva për reformat në Shqipëri.

Të njëjtat burime sqaruan se arsyet e paraqitura nga këto vende ishin të ndryshme. Polonia shprehu kritika për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë dhe pakicat kombëtare, Bullgaria gjithashtu për pakicat, ndërsa Austria për çështje konkrete si IPARD-i.

Përfaqësuesi i Estonisë u shpreh se kupton shqetësimet e Holandës, Gjermanisë dhe të tjerëve, por theksoi rëndësinë e avancimit të procesit. Spanja dhe Italia shprehën mbështetje, duke theksuar se ky vonesë përbën edhe një problem të komunikimit strategjik për BE-në, nëse nuk arrin t’i shpjegojë Shqipërisë arsyet e ngejes.

Për shkak të këtyre rezervave, Komisioni Europian prezantoi një draft të rishikuar të pozicionit të përbashkët, duke reflektuar pjesërisht komentet e shteteve anëtare. Ndryshimet prekën një gamë të gjerë fushash, duke filluar nga funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratë, tek konfiskimi i pasurive, liria e shprehjes, të drejtat e pronësisë dhe lufta kundër korrupsionit.

Komisioni Europian ka mbajtur deri tani një qëndrim teknikisht pozitiv për Shqipërinë, duke theksuar se vendi “ka bërë mjaftueshëm për të mbyllur pikat ndërmjetëse të Grupkapitulli 1”. Megjithatë, ky vlerësim teknik nuk duket se i ka bindur vendet anëtare për t’i dhënë dritën jeshile raportit të IBAR.

Lapsi.al mësoi se grupi COELA do të mblidhet sërish pas dy ditësh, më 9 prill, ku pritet që Komisioni Europian të paraqesë një draft të ri.

Ndryshe nga situata në Bruksel, në Tiranë kryeministri Edi Rama po shprehet çdo ditë në media se “nuk ka bllokim të negociatave”, se gjithçka “po shkon sipas planit” dhe se vendet anëtare “thjesht po bëjnë pyetje”. Ai i cilëson ata që thonë të kundërtën (mediat dhe opozita) si persona që “nuk punojnë për interesin kombëtar”.

Siç është raportuar më herët, një nga çështjet kryesore që ka krijuar “thyerje” mes Tiranës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian është çështja “Balluku”. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, për t’u marrë e pandehur nga drejtësia, duket se është vënë re nga selitë më të rëndësishme diplomatike europiane në Tiranë. Për pasojë, për qeverinë shqiptare, për momentin, nuk ka “asgjë të re nga fronti i Perëndimit”.

Scroll to Top