Subvencionimi për ushqimet: Qeveria monitoron çmimet

Ushqimet: Ibrahimaj paralajmëron paketë subvencionimi nëse çmimet e produkteve të shportës rriten

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, foli edhe për çmimet e karburanteve dhe produkteve të shportës. Ajo theksoi se qeveria po monitoron tregun çdo ditë dhe do të ndërhyjë për të mbështetur shtresat në nevojë.

Ibrahimaj kujtoi se çmimi i naftës u ul një ditë më parë me 10 lekë, pas vendimit të Bordit të Transparencës. Megjithatë, ajo theksoi se ditët e fundit janë vërejtur rritje të çmimeve te frutat dhe sidomos te perimet.

“Dje bëmë një ulje domethënëse të çmimit të naftës. Sigurisht, monitorojmë çmimet në baza ditore për të garantuar çmimet në tabelat e karburanteve. Ditët e fundit, që nga mesi i marsit, kemi parë rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve. Inflacioni në muajin mars ishte 2.6 për qind, një rritje e lehtë,” tha ministrja.

Ajo shtoi se që nga fillimi i krizës, qeveria ka monitoruar çdo ditë të gjitha produktet e shportës. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen çdo ditë, dhe rritja kryesore ka ndodhur te kategoritë e perimeve.

“Kemi filluar monitorimin duke qenë se nga eksperienca e luftës në Ukrainë, në të gjithë botën pati rritje të inflacionit. Ky është një shqetësim që monitorohet dhe diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave. Do të subvencionojmë personat në nevojë,” u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja la të hapur edhe mundësinë që, nëse do të ketë ndryshime të mëtejshme të çmimeve edhe në produktet e tjera të shportës, të cilat prekin drejtpërdrejt buxhetet familjare, atëherë do të hartohet një akt i veçantë. Ky akt do të parashikojë një paketë subvencionimi vetëm për shtresat në nevojë, ku dominojnë pensionistët.

Scroll to Top