Rama: Sektori i ndërtimit, sukses në kundërshtim me mllefin

**Rama: Neveritëse që sektori i ndërtimit futet në kornizën e krimit. Ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni, janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit.**

Kryeministri Edi Rama deklaroi se sektori i ndërtimit ka probleme, siç ndodh edhe në vende të tjera, por shtoi se tentativat për ta inkorporuar këtë sektor në kornizën e krimit janë neveritëse dhe të papranueshme. Gjatë një bashkëbisedimi për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, kryeministri theksoi se jo çdo gjë në këtë sektor është e pastër, por vijoi duke thënë se është e papranueshme hedhja e baltës ndaj tij.

Sipas tij, vendi ka shënuar një sukses në sektorin e ndërtimit, ndërsa shtoi se për disa është e pamundur ta pranojnë këtë gjë.

“Është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme e baltë dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij. Nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, si në çdo sektor tjetër, ashtu sikundër në Shqipëri dhe në vende të tjera, përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione neve, ka probleme. Dhe problemet, patjetër që janë më të mprehta në disa raste se sa janë në vende të tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, e qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që japin jetë këtij sektori. Por ama këtë sukses evident të Shqipërisë, transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm e të prekshëm, sa vjen në Shqipëri ta fusim në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. E ka të vështirë të tjerë që na vizitojnë dhe që të besojnë se si ka mundësi që Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla dhe janë arsye të lexueshme nga ata që duan t’i lexojnë siç janë. Është e pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë, po punë e madhe fort. E pamundur për ne që të pranojmë që shumica dërrmuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në kthesën e baltës për disa që mund të jenë patjetër ashtu siç thuhet, por jo për të gjitha,” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama komentoi akuzat e bëra për rritje të korrupsionit në vend, duke ironizuar se ata që flasin se vendi është kapur prej fyti nga ky fenomen, sipas tij, janë të kapur prej fyti nga mllefi që kanë për suksesin.

Në një bashkëbisedim për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, kryeministri tha se nuk do të pretendohej se po luftohet niveli i korrupsionit në vend, nëse nuk do të kishte shembuj negativë dhe raste abuzimesh.

“Anëtarësimi në BE nuk është një certifikatë formale por proces transformimi dhe të gjithë ato hapa që ne, KE, na i certifikon nuk janë letra, por transformimi në realitetin këtu. Prandaj ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni në fakt janë të kapur në fytin e tyre nga mllefit ndaj suksesit. Të të gjithë atyre që bëjnë sukses në rrugën e tyre, sepse e kanë të pamundur të gjejnë fuqinë për t’ia pranuar dhe falur tjetrit suksesin. Ata që flasin për korrupsionin që na qenka rritur duhet në fakt t’ju dëgjojnë juve. Se nuk mundet dot të rritet korrupsioni kur paguan 14 mln euro taksë. Ndërkohë që kur korrupsioni ishte më i lartë, ti paguaje shumë më pak taksë sepse përqindjen e taksës e kanë në dorë ata që qeverisin, që janë edhe promotorë edhe kundërshtarë të korrupsionit. Por 14 milionë euro taksë me korrupsion, nuk shkon. Nëse rriten të ardhurat, nuk rriten nga shiu por nga taksat. Nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura dhe ne kemi shumë më shumë të ardhura, atëherë do të thotë se ka më pak korrupsion. Dhe të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë këto leje, mund ta dëshmojnë se luftën me ne e kanë me cilësinë e projekteve dhe prandaj janë edhe rastet për të cilat flitet. Se ndryshe si do ta pretendonim se korrupsionin po e ulim, nëse nuk do të kishte shembuj të kësaj natyre. Pra edhe shembuj pozitiv dhe negativë që ekspozohen në luftën kundër korrupsionit,” tha Rama.

Scroll to Top