Tallja e Bordit: Nafta uli çmimin dje, sot e rriti me 7 lekë/litër
Bordi i Transparencës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me pakicë me 7 lekë. Kështu, çmimi i naftës do të jetë 217 lekë për litër, nga 210 lekë që ishte më parë.
Vendimet e Bordit:
- Çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin (standard SSH EN 590) do të jetë jo më shumë se 217 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin do të jetë jo më shumë se 205 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë për benzinën (standard SSH EN) do të jetë jo më shumë se 176 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me shumicë për benzinën do të jetë jo më shumë se 164 lekë/litër.
Këto çmime do të hyjnë në fuqi sot, datë 10, duke filluar nga ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM RRETH AKCIZËS:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet që në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
