Artemis II: Sukses Historik, Hap i Ri në Eksplorim Hapësinor

Artemis II: Një Dritë për Botën dhe një Hap Historik. NASA: Arritëm Objektiva Që Apollo Nuk Mundi T’i arrinte! Ja Kur Nis Misioni Tjetër

Misioni Artemis II është përshëndetur si një sukses i jashtëzakonshëm nga NASA, duke u cilësuar nga drejtuesit si një hap i madh drejt një epoke të re të eksplorimit hapësinor. Nga dhoma e kontrollit në Hjuston, atmosfera ishte e mbushur me entuziazëm dhe emocione.

Administratori i asociuar i NASA-s, Amit Kshatriya, deklaroi se misioni tejkaloi çdo pritshmëri, duke e quajtur atë një “dhuratë për botën”. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, duke thënë: “Shikoni çfarë mund të bëjmë kur punojmë së bashku… nuk ka rëndësi sa të vështira janë problemet, ne mund t’i zgjidhim ato.” Suksesi, sipas tij, nuk ishte rastësi, por rezultat i punës së më shumë se një mijë specialistëve.

Kshatriya informoi se astronautët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe pritet të kryejnë kontrolle të mëtejshme mjekësore. Familjet e tyre përjetuan emocione të forta, duke u përballur me ankthin dhe lumturinë gjatë kthimit të tyre.

Menaxheri i programit Orion, Howard Hu, e cilësoi ditën si “fantastike”, duke shtuar se ekipi kishte ëndërruar për këtë moment prej vitesh. “Ky është fillimi i një epoke të re të eksplorimit njerëzor të hapësirës,” tha ai.

Një nga arritjet më të rëndësishme të misionit, sipas NASA-s, është fakti se janë përmbushur objektiva që as programi historik Apollo nuk arriti t’i realizonte. Kshatriya shtoi se, ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, ku gara gjeopolitike përshpejtoi uljen në Hënë, sot agjencia ka ndërtuar një themel më të fortë, duke u bazuar në përvojën e më shumë se 25 viteve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Në aspektin teknik, ekipet kanë mbledhur një sasi të konsiderueshme të dhënash, veçanërisht lidhur me performancën e mburojës termike.

Ndërkohë, vëmendja është kthyer tashmë nga misioni i ardhshëm. Sipas zyrtarëve të NASA-s, fluturimi i radhës i programit Artemis pritet të realizohet vitin e ardhshëm. Rick Henfling deklaroi se “misioni tjetër është shumë afër”, duke theksuar se mësimet e nxjerra nga Artemis II do të jenë thelbësore për përgatitjet.

Scroll to Top