Plagosje me armë në Tropojë
Policia e Shtetit raporton se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy shtetasve, ku si pasojë ka mbetur i plagosur njëri prej tyre. Autori i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë kanë shpallur në kërkim shtetasin A. I., 26 vjeç, banues në Bajram Curri. Ky shtetas dyshohet se më datë 10.04.2026, rreth orës 23:00, në një lokal në qytetin e Bajram Currit, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve S. M. dhe S. D., të dy 18 vjeç, banues në Bajram Curri.
Si pasojë e të shtënave, shtetasi S. M. është plagosur në dorë. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe është larguar për në banesë. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për të lokalizuar dhe kapur autorin.
Ndërkohë, po kryhen veprime hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
