Dështimi i bisedimeve SHBA-Iran: Komentet e Merz

“Nuk u befasova nga ndërprerja e bisedimeve”, Merz komentoi dështimin e dialogut SHBA-Iran: Ishte i parashikueshëm

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se nuk u befasua nga dështimi i bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, të cilat u zhvilluan fundjavën e kaluar në Islamabad.

Duke folur në Berlin, kancelari Merz u shpreh se që në fillim nuk kishte përshtypjen se negociatat ishin përgatitur mirë. “Nuk u befasova nga vendimi për ndërprerjen e bisedimeve,” tha ai, pa dhënë hollësi.

Kancelari gjerman paralajmëroi se përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit do të jenë të gjata dhe të vështira. Sipas tij, Gjermania është në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira.

Ai theksoi se pasojat e këtij konflikti do të ndihen për një kohë të gjatë, edhe pas përfundimit të tij. “Do të jetë një proces afatgjatë dhe do të vazhdojmë të përballemi me ndikimet e tij,” tha Merz.

Në aspektin ekonomik, ai paralajmëroi për presione të konsiderueshme mbi ekonominë gjermane dhe familjet. Qeveria në Berlin po përgatitet për një periudhë të zgjatur vështirësish, duke synuar të ruajë konkurrueshmërinë ekonomike dhe të lehtësojë barrën mbi qytetarët.

Megjithatë, Merz pranoi kufizimet: “Nuk mund të bëjmë gjithçka. Nuk mund të zgjidhim çdo krizë në botë me paratë e Gjermanisë,” përfundoi ai.

Scroll to Top