Vonesa Aeroportesh BE: Kontrollet e Reja Shkaktojnë Kaos

Kontrollet e reja kufitare në aeroportet e BE shkaktojnë radhë dhe vonesa fluturimesh

Mijëra udhëtarë nga vende jashtë Bashkimit Evropian (BE) po përballen me radhë të gjata, vonesa të konsiderueshme dhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e zbatimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar (EES) të BE-së, i cili kërkon regjistrim biometrik gjatë hyrjes dhe daljes nga zona Shengen.

Sistemi i ri kërkon mbledhjen e të dhënave biometrike, siç janë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë, për udhëtarët nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Probleme me radhë të gjata dhe vonesa u raportuan të shtunën dhe të dielën në aeroporte kryesore evropiane si Gjeneva, Lisbona dhe Malta, si dhe në qendra të tjera si Brukseli dhe Holanda.

Sipas raportimeve, ndërprerjet vazhduan edhe të hënën, me pasagjerët në Aeroportin e Brukselit dhe Schiphol të Amsterdamit që raportuan vonesa deri në dy orë në kontrollet e pasaportave. Një pasagjer në Amsterdam përshkroi pamje të personave të moshuar dhe prindërve me fëmijë të vegjël duke pritur në radhë për pikat automatike të kontrollit, ku shumë pak prej tyre rezultonin funksionale. Një faqe interneti e aeroportit konfirmoi “vonesat e gjata”. Në Milano, udhëtarët raportuan se disa persona u humbën të fikët pas pritjeve deri në tre orë në kontrollet e pasaportave të dielën në mbrëmje.

Kompania ajrore EasyJet raportohet se ka vonuar një fluturim me 52 minuta për t’u dhënë pasagjerëve më shumë kohë për të kaluar kontrollet e pasaportave. Megjithatë, për shkak të kufizimeve kohore për stafin, fluturimi u nis me vende të lira. Situata ka detyruar shumë udhëtarë të kërkojnë mënyra alternative për t’u kthyer në shtëpi, ndërsa disa kanë humbur fluturimet e tyre duke pritur në radhë.

Një zëdhënës i EasyJet tha për ‘Daily Mail’: “Jemi të vetëdijshëm se disa pasagjerë që nisen nga Milano Linate kanë përjetuar kohë pritjeje më të gjata se zakonisht në kontrollin e pasaportave dhe ne i kemi këshilluar klientët të mbërrijnë në aeroport herët. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve kufitare të shfrytëzojnë plotësisht fleksibilitetin e lejuar sipas EES për të shmangur këto vonesa të papranueshme për klientët tanë. Ndërsa kjo është një çështje jashtë kontrollit tonë, kërkojmë ndjesë për shqetësimin.”

Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, e ka përshkruar zbatimin e sistemit të ri si “kaos” dhe “çrregullim”, duke pretenduar se BE-ja po “ndëshkon” udhëtarët britanikë pas Brexit duke krijuar radhë të gjata në kontrollet e pasaportave. Ai shtoi se “ndërprerje të konsiderueshme” janë regjistruar që nga zbatimi fillestar i sistemit në tetor 2025, ndërsa funksionimi i plotë pritet në prill, por vonesat dhe kohët e pritjes janë rritur tashmë.

Si funksionon sistemi i ri

Sistemi i ri i Hyrjes/Daljes (EES) i BE-së kërkon që udhëtarët nga vendet e treta, siç është Mbretëria e Bashkuar, të regjistrojnë të dhëna biometrike – një fotografi të fytyrës dhe gjurmë gishtash – kur hyjnë në zonën Shengen. Zona Shengen përbëhet nga 29 vende evropiane, kryesisht shtete anëtare të BE-së.

Sistemi automatizuar u zbatua fillimisht në tetor 2025, me aeroportet dhe portet që kishin afat deri më 10 prill për ta zbatuar plotësisht atë. EES zëvendëson sistemin tradicional të vulosjes së pasaportave nga një roje kufitare.

Gjatë regjistrimit të parë, bëhet një fotografi e fytyrës dhe skanohet pasaporta. Për të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç, skanohen edhe gjurmët e gishtave.

Udhëtarët britanikë nuk kanë nevojë të bëjnë ndonjë përgatitje specifike, por këshillohen të mbërrijnë në aeroporte herët për shkak të vonesave të mundshme në kontrolle.

Scroll to Top