Bisedime SHBA-Iran në Pakistan: Raundi i ri më 16 prill

Konflikti në Lindjen e Mesme: Irani konfirmon datën 16 prill për raundin e ardhshëm të bisedimeve me SHBA në Pakistan

Një burim në Teheran, cituar nga The Atlantic, raporton se raundi i ardhshëm i negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të zhvillohet në Pakistan më 16 prill. Të dy vendet zhvilluan bisedime në Islamabad të shtunën, pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje armëpushimi dyjavore me Teheranin.

Të dielën në mëngjes, Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi se pas 21 orësh negociatash, Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk arritën të finalizonin një marrëveshje.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif u shpreh se përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë ende në vazhdim, edhe pse bisedimet e fundit në Islamabad nuk rezultuan në një marrëveshje përfundimtare. Ai theksoi se armëpushimi aktual është fryt i përpjekjeve të Pakistanit dhe se puna vazhdon për adresimin e çështjeve të pazgjidhura.

Sherif e përshkroi procesin si delikat, por me progres të dukshëm. Ai nënvizoi rëndësinë historike të këtyre bisedimeve, duke theksuar se ishte hera e parë në 47 vite që delegacionet e dy vendeve u ulën ballë për ballë për negociata direkte. Ai shtoi se diskutimet zgjatën rreth 21 orë dhe në momente ishin pranë dështimit total.

Pavarsisht kësaj, Pakistani ka deklaruar se do të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësit për të nxitur dialogun dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme. Vendit i atribuohet një rol i rëndësishëm në arritjen e armëpushimit dyjavor të shpallur javën e kaluar.

Scroll to Top