“`html
Pacolli: E padrejtë ajo që po më bëhet me aeroportin e Vlorës
Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka komentuar sërish situatën rreth aeroportit të Vlorës. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan, ai deklaroi se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë, por ka qenë i informuar për to.
“Nuk kam qenë i përfshirë në nënshkrimin e kontratave. Nuk kam nënshkruar. Kam qenë person i informuar,” tha Pacolli. “Projektin e Aeroportit të Vlorës e kam pasur me shumë dëshirë. Doja të bëja diçka të bukur në Vlorë. Këtë eksperiencë nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë. Një projekt i tillë u trajtua pa asnjë respekt, pa asnjë dëshirë që të ketë sukses projekti.”
I pyetur nëse është në dijeni të akuzave të SPAK, Pacolli u shpreh se asgjë nuk është e vërtetë. Ai shtoi se kompania e tij ka ndërtuar shumë aeroporte dhe kurrë nuk ka pasur probleme.
Pacolli theksoi se disponon dokumentacionin e plotë për ndërtimin.
“Nuk mungojnë dokumentet. Ne e kemi kopjen e dokumentacionit. MABKO ka garantuar kapitalin fillestar prej 5 milionë eurosh. Kemi paguar faturat e punëkryesit. Kredia është garantuar nga MABKO,” tha Pacolli.
Ai tregoi se policia nuk po lejon punëtorët e kompanisë së tij në aeroport. Sipas Pacollit, kompania e tij është pezulluar padrejtësisht nga projekti, pasi gjykata është bazuar në thashetheme se po ia dorëzonte aeroportin një kompanie ruse dhe se kredia 100 milionë euro e marrë në bankë është sipas ligjeve në fuqi.
Më 31 tetor 2025, për rreth 4 orë, biznesmeni Behgjet Pacolli u mor në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me konfliktin e lindur mes tij dhe ortakut të tij, Valon Ademi, për koncesionin e aeroportit të Vlorës. Për këtë investim, Pacolli pretendon se ka 98% të aksioneve nëpërmjet kompanisë së tij “Mabco Construction S.A.”. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe mashtrimit kompjuterik. Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e dy kallëzimeve, si nga ana e Pacollit, ashtu edhe nga Ademi, i cili pretendon se zotëron 49% të aksioneve përmes kompanisë “2A Group”.
Prej javësh, prokuroria po merr në pyetje persona lidhur me hetimet, por ende nuk ka persona nën hetim.
Pavarësisht konfliktit mes ortakeve, Pacolli tha se mosmarrëveshjet nuk do të pengojnë përfundimin e aeroportit. Mosmarrëveshjet mes dy ortakeve kanë çuar në pezullimin e aktivitetit të shoqërisë “Vlora International Airport”, nga Gjykata e Tiranës.
“`
